Në trend shtatzënat adoleshente

Mosha e shtatzënës më të vogël në vend është 14-vjeçe, ndërsa çdo ditë e më shumë shënohet rritje e trendit te shtatzënitë adoleshente. Kryesisht janë shtatzëni të padëshiruara, megjithëse i madh është numri i atyre që e dëshirojnë shtatzëninë. Në Gjinekologjinë e Shkupit shpresojnë që ndonjë kontraceptiv përfundimisht do të gjendet në listën pozitive të ilaçeve

Qefsere ABDYLI

Shkup, 22 maj – Mosha e shtatzënës më të vogël në vend është 14-vjeçe, ndërsa çdo ditë e më shumë shënohet rritje e trendit te shtatzënitë adoleshente. Kryesisht janë shtatzëni të padëshiruara, megjithëse i madh është numri i atyre që e dëshirojnë shtatzëninë. Kështu për MIA ka thënë dr. Ana Daneva Markova, kryetare e Komitetit për amësi të sigurt dhe anëtare e Grupit nacional punues për analizë dhe revizion të vdekshmërisë perinatale, ndërsa ka shtuar se orientimi aktual i gjinekologëve është në përdorimin e drejtë të kontracepsionit.

“Tani jemi duke i zgjeruar aktivitetet edhe për një vit-dy do të jemi të orientuar drejt kontracepsionit, për shkak se kemi normën më të ulët në rajon, si dhe drejt planifikimit të familjes, jo vetëm për përdorimin e metodave kontraceptive, theks i veçantë do të vihet në shtatzëninë adoleshente dhe edukimin. Bashkë me fushatën për kontracepsion duhet doemos të hartohet plan i mirë për planifikimin e familjes dhe të gjendet mënyrë se si të arrihet deri te ata njerëz të rinj, ndoshta është më së mirë përmes fushatës në rrjetet sociale. Shpresoj se ndonjë kontraceptiv përfundimisht do të gjendet në listën pozitive të ilaçeve”, thotë dr. Doneva Markova.

Markova ka informuar se norma e vdekshmërisë së foshnjave në shtet është reduktuar dukshëm krahasuar me vitet e kaluara. “Rritje më të madhe të vdekshmërisë së foshnjave kishte në vitin 2013/2014 – 10.2 promilë në 1000 bebe të lindura gjallë. Fatmirësisht, është regjistruar ulje e vdekshmërisë së foshnjave, që në vitin 2017 arrinte 9.2 promilë në 1000 bebe të lindura gjallë, ndërsa sipas të dhënave jozyrtare nga statistika, ajo tani shënon trend ulës – sipas rezultateve të para rreth 7 promilë (të dhëna zyrtare muajin e ardhshëm do të dorëzojë Enti për statistikë)”, shprehet doc. dr. Ana Daneva Markova, kryetare e Komitetit për amësi të sigurt dhe anëtare e Grupit nacional punues për analizë dhe revizion të vdekshmërisë perinatale. Në repartin për kujdes intensiv neonatal të Klinikës universitare për gjinekologji dhe akusheri, siç bëri të ditur ajo, është ulur për 30 për qind vdekshmëria e foshnjave, ndërsa sqaroi se më shumë se 90 për qind e lindjeve të parakohshme përfundojnë në Klinikë, ndërsa shkaku më i madh për vdekshmërinë e foshnjave është lindja e parakohshme.

Me qëllim që të vazhdojë ky trend, thotë Markova, do të mblidhen të dhënat e domosdoshme për të përcaktuar shkaqet për çdo rast perinatal të vdekjes (vdekje e foshnjës para ose shtatë ditë pas lindjes), gjë që do të analizohet në mënyrë të detajuar, si edhe e gjithë procedura nga fillimi i shtatzënisë deri në përfundimin e saj, vizita e rregullt në kontrolle gjinekologjike të nënës, profesionalizmi i mjekëve, niveli i përgatitjes së institucioneve përkatëse shëndetësore… Shqyrtimin e çdo rasti perinatal të vdekjes do ta bëjë Grupi nacional punues për analizë dhe revizion të vdekshmërisë perinatale, i formuar dy muaj më parë në bashkëpunim me UNICEF-in, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë me 13 anëtarë dhe zëvendës të tyre. Qëllimi themelor i tij është dhënia e rekomandimeve në drejtim të standardizimit dhe përmirësimit të cilësisë së kujdesit ndaj nënave dhe foshnjave.

Projektin për uljen e vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave e zbatojnë bashkërisht Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia për cilësi dhe akreditim të institucioneve shëndetësore në bashkëpunim me Fondin për Popullatë të Kombeve të Bashkuara – UNFPA, prej shtatorit deri në dhjetor të vitit 2018. Mjetet që i ka ndarë Qeveria janë dyfishuar nga ana e UNFPA-së me çka buxheti i përgjithshëm arriti në 5.7 milionë denarë ose rreth 106 mijë dollarë amerikanë. (koha.mk)