Klubi i Paris Saint Germain bën 50 vjeç më 12 gusht. Për ta kremtuar këtë përvjetor historik, po planifikon një festë madhështore me protagonist kryesorë Mbappénë dhe Neymarin. Nuk do të jetë vetëm kujtimi i asaj dite, në të cilën u bashkuan Klubi i Futbollit në Paris dhe Stade Saint-Germanois, kjo ditë festive do të shërbejë gjithashtu për të festuar me qytetarët parizienë fitoren kundër Koronavirusit. Bashkë me dy “yjet” e skuadrës.
Shoqëria pariziene beson se kriza e Koronavirusit do të reflektohet edhe në buxhetet e skuadrave e për rrjedhojë “nuk do të ketë para në treg për të paguar për kartonin e Neymarit”, zbuloi për “El Mundo Deportivon” një zyrtar i lartë i PSG-së.
Neymar u ble nga kampionët e Francës më 3 gusht të vitit 2017 për shumën rekord 222 milionë euro. Vetëm një vit më vonë, ai kishte rritur shitjen e bluzave me numrin 11 dhe me emrin Ney me 30%. Rinovimi i kontratës së PSG-së me Nike në vitin 2019 dhe rritja e përfitimeve nga 25 milionë në 75 milionë euro erdhi nga prania e brazilianit dhe Mbappésë në ekip.
Neymar është lojtari më i vlefshëm në tregun e SHBA-ve për dekadën e ardhshme. Jo vetëm që rinovoi me Nike, por PSG ndryshoi partnerin e saj kryesor, duke nënshkruar për 60 milionë euro në vit me Accor, që është një nga operatorët më të mëdhenj të turizmit në botë, me 4 800 hotele të përhapura në 100 vende.
Kaq mjafton për të kuptuar pse PSG nuk do ta shesë Neymarin dhe po vazhdon të durojë sjelljen e brazilianit, i cili vazhdon të krijojë situata të pakëndshme për t’iu bashkuar Barcelonës.