Shkup, 1 janar – Në Klinikën për Toksikologji mbrëmë janë pranuar 24 pacientë, të gjithë në gjendje të alkoolizuar. Ata janë lëshuar në trajtim shtëpiak. Janë hospitalizuar edhe tre përdorues të substancave psikotrope, prej të cilëve dy tashmë janë në shtëpi, ndërsa një paciente akoma është observim.
Siç njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në Qendrën emergjente në Shkup gjatë natës së Vitit të Ri janë trajtuar rreth 60 pacientë, kryesisht të lënduar në aksidente, gjatë ndonjë sulmi fizik, prej prerjeve me qelq dhe mjeteve piroteknike, por asnjëri nuk kishte lëndime më serioze.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, nga ana tjetër frekuentimi i pacientëve ka qenë shumë i vogël.
“Në përgjithësi, nata e Vitit të Ri kaloi me frekuentim të zakonshëm, me pacientë të cilët nuk patën komplikime më serioze”, deklaroi Filipçe para Klinikës për Toksikologji.
Ai përmendi se këtë vit në krahasim me vitet e kaluara është zvogëluar numri i pacientëve të cilët kanë përdorur substanca psikotrope.