Me rastin e 25 vjetorit të vizitës së tij në Shqipëri, 400 vjetorit të përzgjedhjes së papës së dytë, i cili nuk ishte italian dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Polonisë, në kryeqendrën shqiptare sot është vendosur busti i Papa Gjon Palit, i cili do të qëndrojë në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se busti i Papa Vojtilës ia shton më shumë vlerat Tiranës si simbol i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave.
“Sot Shqipëria, me në krye Tiranën, është mishërimi i këtij vizioni të emancipuar të Papës. Liria fetare, por edhe harmonia fetare, janë shembull i virtytit të mirë tek ne shqiptarët. Në Tiranë, në një kilometër katror mund të gjejmë Katedralen Katolike, mbrapa Galerisë së Arteve, Katedralen Ortodokse, përballë Shtëpisë së Gjetheve, një tjetër kujtesë e atij regjimi të vështirë dhe të rëndë sidomos për ata që ishin besimtarë, përballë Piramidës kemi bustin e Papa Françeskut, kurse këtu përurojmë bustin e Papa Gjon Palit t[ë Dytë, e pak metra më tej po ndërtohet xhamia e madhe. Nuk ka një kryeqytet tjetër në botë që në një kilometër katror të jetë i përfaqësuar me të gjitha ngjyrat e besimeve fetare”, tha Veliaj.
“Me vizitën e tij në 1993, ai i dha shpresë të gjithë popullit shqiptar. Kurse në vitin 2014 kemi vizitën e Papa Françeskut, i cili teksa i referohej vendit tonë thoshte se: “Shqipëria ka një karakteristikë shumë të bukur që më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme. I referohem vëllazërisë fetare, lidhjeve që ekzistojmë mes feve të besimeve të ndryshme në vendin tuaj. Klima e besimit dhe besimi reciprok midis katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një dhuratë e paçmuar për vendin tuaj”, deklaroi Veliaj.
Nën shembullin e Papa Vojtilës, Tirana lufton ekstremizmin duke krijuar një mjedis që lejon ndërveprimin e mendimeve dhe feve, u shpreh Veliaj.