Tiranë, 28 tetor – Në organizim të Parlamenti shqiptar në Tiranë, sot u mbajt Forumi i parë ballkanik kundër Antisemitizmit.
Forumi ballkanik kundër Antisemitizmit mbahet me iniciativën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ku morën pjesë edhe autoritetet më të larta nga vendet e Ballkanit, Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, drejtues të shtetit të Izraelit, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.
Forumi Ballkanik Kundër Antisemitizmit u parapri nga miratimi i Rezolutës për Përkufizimin e Antisemitizmit nga Parlamenti Shqiptar, një vendim të cilin Kryeministri Rama e cilësoi “historik në luftën globale kundër urrejtjes e diskriminimit të hebrenjve”.
“Në këtë forum unë përfaqësoj Shqipërinë, një vend të vogël që është mishërim i një shembulli të madh të mbrojtjes së hebrenjve dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm që ushqehet gjithmonë e më shumë nga urrejtja kundrejt trashëgimisë hebreje”, tha kryeministri Edi Rama në fjalën e tij .
Kryeministri tha se Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre, si shtyllë e bashkëjetesës sonë në rrjedhën e qindra viteve.
“Pa parë thellë në histori konfirmojmë lehtësisht se hebrenjtë të cilët peripecitë e jetës i sollën në vendin tonë u kthyen në një gur të çmuar në historinë dhe kulturën tonë”, tha Rama.
Ai theksoi se “ishin myslimanë dhe të krishterë dhe u ofruan strehë duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre. Ka episode të besueshme kjo periudhë kohe në historinë tonë krenare. Sjell episodin e dy vëllezërve që strehuan një familje të madhe hebreje dhe u dorëzuan vetë tek nazistët dhe përfunduan në kampe përqendrimi në Gjermani duke dhënë identitet të rremë, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë që nazistët po kërkonin”.
Rama shtoi se problemi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit, por relativizimi në raport me atë çka u ndodh hebrenjve.
Pak muaj më parë, shtoi Rama, ne inauguruam një memorial dedikuar kujtesës së Holokaustit në Tiranë. Kryeministri njoftoi se punohet që të ndërtohet një muze që të nderojë komunitetin hebre dhe që të nderojë këtë miqësi.
Në cilësinë e Kryetarit të OSBE, Rama tha se “ne kemi vendosur theksin saktësisht në çështjen e antisemitizmit, me shumë aktorë, përfshirë këtu shoqërinë civile dhe të ndërgjegjësojmë sa më shumë për atë që antisemitizmi shënjestron”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo u drejtua përmes një video lidhjes, duke falënderuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar për ndihmën e tyre për hebrenjtë pas luftës dhe Holokaustit.
“Jam i kënaqur që të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA-së. Pas luftës dhe Holokaustit, ishte vendi që ofroi ndihma të rralla për hebrenjtë. Shqiptarët ishin një strehë për hebrenjtë për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe u dhuruat dokumente të rreme për t’i shpëtuar. Nderime për Shqipërinë dhe trashëgiminë, si dhe tolerancën e saj”, tha Pompeo.
Ai shtoi se ky është një tubim për të ngritur zërin kundër Antisemitizmit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Konferencën Ballkanike kundër Antisemitizmit u shpreh sot se, “historia e komunitetit hebraik të Shqipërisë ilustron më së miri vlerat mbi të cilat është ngritur vendi ynë”.
“Që në shekullin e dytë ka ekzistuar një prani e hebrenjve në Shqipëri, por në vitet 1930 numri i tyre është tkurrur në vetëm 200 persona”, u shpreh ai.
Ai shtoi se, “populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresiste të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më shumë se shtatë dekada, morali i politikës botërore është ndërtuar mbi vlerat e antifashizmit. Rendi botëror dhe paqja mbeten sot e do të vazhdojnë të qëndrojnë në themelet e antifashizmit. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një nga shprehjet më të shkëlqyeshme të antifashizmit të popullit tonë”.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha sot se Shqipëria do ta çojë deri në në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit.
Në fjalën e tij në Forumin e Ballkanit Kundër Antisemitizmit, Ruçi theksoi se “ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, ngrohtësia njerëzore mbi përndjekjen, vuajtjen e dhimbjes në vend të shkaktimit të saj të tjerëve”.
“Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi. Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë nuk është thjesht një çështje e marrëdhënieve me shtetin e Izraelit, as vetëm një çështje e partneritetit tonë me SHBA-në, të cilët i janë përkushtuar mbrojtjes së hebrenjve të Shqipërisë, prej ambasadorit Bershtajn, tek ambasadorja Kim”, nënvizoi Ruçi.
Ai shtoi se Antisemitizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por, si një distilim i njerëzimit prej të keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm së kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen..
Ministrja e Punëve të Diasporës së Izraelit, H.E Omer Jankeleviç, falënderoi sot qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë për nismën shumë të rëndësishme e të guximshme për miratimin javën e kaluar të përkufizimit të antisemitizmit IRA.
Në fjalën e saj në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, ministrja Jankeleviç duke i bërë thirrje krerëve të shteteve, tha se si mike e vërtetë e popullit hebre, Shqipëria gjithmonë e ka ruajtur komunitetin e vogël dhe unik hebre duke garantuar edhe lirinë e fesë.