Tetovë, 30 nëntor – Sonte, 30.11.2019 në orën 18:00 në Qendrën e kulturës “Ilo Aneski -Smok” në Tetovë, u hap ekspozita me grafika NË BOTËN E RITUALEVE e Gjulere Dautit.
Gjulere Dauti lindi më 28.08.1987 në fshatin Shemshovë. Ka kryer studimet në Universitetin e Tetovës, në fakultetin e Arteve, në drejtimin arsimor. Ka diplomuar në temën në temën ”Figura e dervishit”. Është mësimdhënëse e rregullt e Artit figurativ në shkollën fillore “Shemshovë” – në fshatin Shemshovë” dhe në shkollën fillore “Ismail Qemali” në fshatin Nerasht. Po ashtu është mësimdhënëse më korrespodencë në kolegjin “Yahja Kemal” në fshatin Kamjan – Tetovë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive. Kjo është ekspozita personale e saj e parë, transmeton gazeta KOHA.
Profesori universitar Salajdin Salihi në shkrimin e tij thotë se: Në grafikat e Gjylere Dautit paraqiten rituale dervishësh. Kjo botë artistike paraqitet nëpërmjet iluzionit të lëvizjes, kontrasteve dhe dritëhijeve. Në këtë cikël grafikatsh e tëra nuk i eklipson detajet.Nga një shikim më i përqendruar krijojmë bindjen se te grafikat kemi një gërshetim të vetëdijshmes, vetvetishmes dhe të pavetëdijshes, që janë pjesë e filozofisë mistike, e cila, kryesisht, shprehet nëpërmjet ngjyrës së bardhë dhe të zezë. E bardha na zbulon gjithçka, kurse e errëta fsheh shumëçka. E bardha “lexohet” dhe e zeza e fsheh misterin.
Gjylere Dautit, nëpërmjet instrumenteve të artit pamor, e paraqet thelbin e kësaj filozofie, gjegjësisht sinkronin e njerëzores dhe hyjnores. Rituali, njëkohësisht, është një udhëtim shpirtëror.Veshja e dervishëve është e thjeshtë, sepse idealja qëndron mbi materialen. Rituali nuk kryhet për veten, por për Zotin. Duke u bërë rituali për Zotin, shërben edhe si çlirim të njeriut nga pasionet dhe veset. Gjylere Dauti është piktore e brezit të ri.
Ajo ka kryer studimet për pikturë në Universitetin e Tetovës. Ekspozita më e re e saj dëshmon për një individualitet të fuqishëm artistik. Grafikat e saj na trazojnë ndjenjat, por edhe na shtyjnë të mendojmë më thellë për probleme të ndryshme metafizike.
Kjo ekspozitë u realizua në bashkëpunim me Qendrën për kulturë “Ilo Anteski – Smok” në Tetovë dhe u mbeshtët finansiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.(koha.mk)