2019-ta le shtrëngojë rrypin e këtyre rretheve të mbijetume ku zjarri do mbështeste idenë fort’ e ku sërish do na mësojë si të shendim fëmijët tanë me stinë vere përsëri! Ndryshe, s’kemi kuptim! Ndryshe, stërkeqemi ! Prandaj ri-krijofshi shend e verën përsëri, ngjizuni me zjarrin!
Nga Adelina MARKU
Mbrëmë në “Shend e verë” në Tetovë ishim një grusht njerëz! Jemi pak! – thamë pa e fol konstatimin! Sepse sikur t’a folnim, frika nga pakësimi do na terrte shpresën. E neve kjo shpresë (ah sa dhelprane që ësht’) na mban gjallë të shkretën! Thu ti secili nga ne aty brenda vullkan kishte në sy! I gëzoheshim nurit që shpërthente këmishave tona! Shihsha e mbrijsha me prek këtë spikamë tek lidhte mendjet tona e thoja se veç dashnia din me pjell k’si fuqie! Dashnia për çiltërsi mes shqiptarësh/esh! Gjeta veten tuj pas mall për atë zjarr dlirësie shqiptarësh/esh që na e fikën populistët por edhe zgjatimet indoktrinuse që dhjesin broçkulla me erë djathi t’prisht me vite! Po du me pshty, sepse na i terrun shpresat e na e deformun shijen për të bukurën ndër ne !
Aty, në “Shend e verë” vijnë njerëz që e duan poezinë, aty recitohet e knohet Ajo që Ty t’a ka dasht e t’a do zemra! Po, m’u n’lug Tetove asht “Shend e verë”! Aty pihet verë se s’bën pa të, aq më tepër që qem harruar se mbrëma i paraprinte natës së Kërshëndellave dhe ne Gëzuar mendjesh bëmë siç na ka hije tan shqiptarëve/eve të gjith’ feve brenda tansis ton! Aty në “Shend e verë” jo gjithkushi din me mbet brenda, sidomos ata me “Emra të përgithshëm nuk kalojnë lehtë – do i thoshte Lindita Ahmeti Vjollcë Berishës përmes poezisë në librin “Nga mështeknaja e Babait” – ata që ecin kryelartë e kryeulur në dimensionin e pakuptimësisë” zorr se e kuptojnë “Shend e verë” , që ah, në mendjen time kish mbet si një tharm buke që vinte fuqishëm dikur! Ose ndoshta ende është si një farë buke që tuj ardh asht?! Sepse klubeve si “ Shend e verë” rrëfehen zemrat e luajve dhe dashnorëve ose luaneshave e dashnoreve, burrave e grave që nuk bajn dot pa integritetin! Integritet kur duan, integritet kur pjellin, integritet kur folin, integritet kur heshtin e vuajnë! S’bajn dot pa integritetin e edhe po deshte me jua korruptu kët’ hon mjalti, vëngër kan me t’pa sepse ata s’dijnë ndrysh’! Janë me kryq në ballë- do thoshte im atë!
Vërtet pak qemë , pak jemi…!
Aty në “Shend e verë”, t’mirpret Vjollca . Një femër që ta mer zemrën saças. Masnej jo vetëm emri, por mbiemri’ saj Berisha, t’a përmbledh tan hapsinën shqiptare . Berish’ ka kudo! E mendoj shpesh se mbiemrat kanë shumë rrëndësi! Mësojuani fmijve tuj rrandsinë e mbiemrit që mbajnë, gryheni thellë lashtësinë e mbiemrit e mbrini deri në rranjë, paj edhe po gjetët fenë tjetër aty, madje edhe paganizmin thellë thellë – duajeni, sepse aty brenda ka mbet fara! Për më shumë Vjollca vjen me pranverën… Njejt si poezia e Lindita Ahmetit mbrëmë, “Prill në dhjetor”!
Edhe Tefta Tashko Koço u këndua mbrëmë në “Shend e verë” të Tetovës nga sopranoja nurplotë me emrin Besartë Murtezani – na drithëroi me kumt zani kjo femër sygshtenje; edhe rroku edhe “Gjurmët” e Shpat Deda e sa e sa të tjerë erdhën përsëri në “Shend e verë” përmes një zani, mrekullani të ri nga Kumanova me emrin Shpëtim Mustafa …; Ndërsa unë mbeta gojëhapur dhe habiplotë sepse kisha harruar t’a mendoj këtë dimension tek ne shqiptarët e shekullit të ri! Madje s’më pëlqente vetja tek vazhdimisht pyesja përreth e syhapareshun: “ Kjo ndodh në Tetovë ?! “
Kisha mendu se kishim marrë fund, kisha mendu se ishim përçarë fort thellë e ishim shpërnda si copat e mishit filmave të Tarantinos, kisha mendu se kishim leju t’a barbarizojmë gjuhën tonë tuj mos dit me bo një copë ligji që do e mbronte e kultivonte atë (plas shuplakën ballit tani e mbi një dekadë, faaaappp!!!), kisha mendu se ishim shkëput nga rranja kombëtare tuj defilu hazganllëk do përçudnimeve fetare që na kan zeznu ftyrë e mendje , kisha mendu se jemi farë në zhdukje e se as afrodizijakët ma të fortë s’do na ndiznin epshet ma , kisha mendu se qyteti i dy universiteteve është denatyru deri në përmasë: Mallkim nga Erëdjathprishurit! , kisha mendu se aty ku gjëmonte dikur ideali kishin vdekur tan’ heronjtë, ishin sos, thu t’i se i kishin vra një nate pranvere dhe kishin ndalu së foluri për to, kisha mendu se “MOS FOL!” ish shpall feja e re aty në Tetovën e dy universiteteve, kisha mendu se meshkujt aty ngjizin puthbuythën Liderit t’Partisë e jo gruan e bukur, sepse kisha mendu se s’guxojnë me dashninë e se janë tut’plot, kisha mendu se protesta aty më s’ka kuptim as edhe qëllim, kisha mendu se rasputinasit kishin hedhur mallkimin e shfarosjes së aristokracisë intelektuale , kisha mendu se çdo gjë kish marr fund e dashta me u struk e mbështjellë në “Shend e verë” për të kërku arsyen e këtij ejakulimi steril kombëtar. Gabim?!
Po, klubeve si “Shend e verë” ndizen dëshirat! Ashtu siç ishte e mbrëmshmja dëshirë ime që m’u rikthye nga aura e “Shend e verë” e që më thotë se qytetet ku banojmë Ne me shekuj, të mos i shoh më nga prespektiva e nga stigma e “qyteteve t’miniaturës së intelktualizmës t’mbijetume”…! “Shënd e verë” mbrëmë më kujtoi Mësimin për Rrethin e Fortë të cilin e mban t’lidhun një ide me integritet, mësim ky të cilin e kisha ndryshk moti kohë në kujtesë! Është mësimi mbi atë dilemën se kush erdh i pari, Feniksi apo zjari? Sepse ne presim Feniksin të vijë e të na shpëtojë apo, e ai/ajo nuk vjen, nuk don të ngjallet ende! Sepse Ne harrojmë se Feniksit ia kemi zhbë deri në themel rrethin ku do ndizej zjarri që Ai/ Ajo të ngritej majave!
2019-ta le shtrëngojë rrypin e këtyre rretheve të mbijetume ku zjarri do mbështeste idenë fort’ e ku sërish do na mësojë si të shendim fëmijët tanë me stinë vere përsëri! Ndryshe, s’kemi kuptim! Ndryshe, stërkeqemi ! Prandaj ri-krijofshi shend e verën përsëri, ngjizuni me zjarrin!
Gëzuar!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)