Vetëm gjatë muajit të shkuar, nga rrugët e Tetovës janë larguar 219 vozitës, ndërsa janë konstatuar 1689 shkelje. Nga policia e Tetovës për KOHA thonë se neglizhenca e secilit vozitës në trafik, mos pasja e kujdesit për sigurinë personale në pikë të parë dhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik, sjell deri tek rritja e numrit të aksidenteve dhe shkeljeve
Urim HASIPI
Tetovë, 14 janar – Katër deri në pesë vozitës brenda ditës në Tetovë ndalohen duke drejtuar veturën pa patenta shoferi. Kështu thonë statistikat e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, nga ku nënvizojnë se kjo dukuri vazhdon të jetë e pranishme në rajonin më të gjerë të Tetovës. Dhe kur statistikat flasin kështu, pasojat sigurisht se janë evidente. Kësisoj, viktimë e një aksidenti trafiku ka mbetur një 76 vjeçar nga fshati Kamjan pasi që ka qenë viktimë e një aksidenti nga një veturë e drejtuar nga një fëmijë 14 vjeçar, po ashtu nga fshati Kamjan. Aksidenti ka ndodhur të dielën në rrugën regjionale Tetovë-Pirok. “Të shtunën në ora 16 e 45 minuta është denoncuar, se në rrugën regjionale Tetovë-Pirok në fshatin Kamjan, vetura “Reno Klio” me targa të Tetovës, të cilën e ka drejtuar një minoren nga fshati Kamnjan, ka aksidentuar këmbësorin 76 vjeçar Q.O nga i njëjti fshat. Në këtë aksident, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Spitalin klinik të Tetovës, ku është konstatuar se i njëjti iu është nënshtruar plagëve dhe ka vdekur. Prokurori publik dhe ekipi nga SPB Tetovë kanë kryer inspektimin në vendin e ngjarjes”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-së në Tetovë. Viktima e djeshme është e dyta me radhë brenda një periudhë prej 15 ditëve, kur në autostradën Tetovë-Gostivar një polic humbi jetën.
Nga policia kanë apeluar që prindërit më shumë të kenë kujdes dhe mos lejojnë që fëmijët e tyre të mitur të kenë qasje tek vetura. “Sektori për Punë të Brendshme si institucion që kujdeset për sigurinë ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet për mënjanimin dhe zvogëlimin e aksidenteve. Apelon shpesh herë që qytetarët të jenë vigjilent, tu përmbahen rregullave dhe dispozitave ligjore në trafik dhe të kenë kujdes kryesisht prindërit se ku i lënë çelësat e veturave që të mos u jepet mundësia fëmijëve të kenë qasje tek vetura. SPB-ja e Tetovës ka kryer kontrolle në trafik dhe ka konstatuar një numër të madh të shkeljeve. Sipas të dhënave 4 deri 5 vozitës ndalohen në ditë që nuk kanë patente shoferi. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim më shumë, por ka raste kur edhe vet prindërit ua lejojnë fëmijëve që të drejtojnë makinën pa leje”, tha Rexhepi.
Vetëm gjatë muajit të shkuar nga rrugët e Tetovës, nga trafiku janë larguar 219 vozitës ndërsa janë konstatuar 1689 shkelje. “Numri më i madh i aksidenteve në vitin e shkuar ka qenë shpejtësia e papërshtatshme me kushtet në rrugë, një ndër shkaqet e aksidenteve është edhe ndikimi i automjeteve në ndikim të alkoolit. Neglizhenca e secilit vozitës në trafik, mos pasja e kujdesit për sigurinë personale në pikë të parë dhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik, sjell deri tek rritja e numrit të aksidenteve dhe shkeljeve në trafik”, theksoi zëdhënësi Rexhepi. Ndërkohë, gjatë vikendit në rajonin e Sektorit për punë të Brendshme Tetovë, është realizuar aksion kontrollues ndaj vozitësve që drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit. Gjatë kontrollit janë zbuluar 19 vozitës-shkelës të cilët kanë drejtuar nën ndikim të alkoolit. Të gjithë janë larguar nga trafiku me ç’rast iu janë konfiskuar patentat e shoferit, kurse janë zbuluar dhe në mënyrë adekuate janë sanksionuar edhe 34 lloje tjera të shkeljeve. Gjatë kontrollit të kryer në qytetin e Gostivarit, janë zbuluar tre vozitës të alkoolizuar. Tre shkelësit menjëherë janë larguar nga trafiku, me konfiskim të patentave të shoferit. Gjithashtu janë zbuluar edhe tre lloje tjera të shkeljeve. (koha.mk)