Driton ZENKU
Gostivar 15 maj – Kampanjat e ashpra kundër vaksinimit, ka ndikuar në zbehjen e prindërve për të mos vaksinuar fëmijët e tyre. Në aktivitetet e realizuara në Javën e Imunizimit, në rajonin e Gostivarit janë zbuluar dhe vaksinuar gjithsej 239 fëmijë të moshave të ndryshme, nga ata 154 fëmijë janë hasur dhe vaksinuar në terren, shkruan gazeta KOHA. Voisllav Ognajoski, përgjegjës i entit epidemiologjike në Gostivar, me përgjegjësi apelon deri tek prindërit që të mos rrezikojnë shëndetin e fëmijëve të tyre. Ognjanovski siguron që vaksinimi i fëmijëve luan rol vendimtar në parandalimin e paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse siç është sëmundja e fruthit. Që nga fillim i vitit 2014 e deri më tani, nuk është regjistruar asnjë fëmijë i prekur nga kjo sëmundje. Gjendja vazhdon të mbetet stabile dhe arsye kryesore paraqitet fakti se pjesa dërmuese e fëmijëve të regjionit të Gostivarit, janë përfshirë në agjendën e imunizimit respektivisht kanë pranuar rregullisht vaksinimet e parapara në kalendarin për imunizim. Se vaksinimi paraqitet si masa më e mirë për të parandaluar sëmundjeve të tilla siç është fruthi, Ognjanoski merr shembull rastet e regjistruara në vitin 2007. Ai thotë se asnjë nga fëmijët e prekur nga fruthi, nuk kishin pranuar vaksinimin adekuat kundër kësaj sëmundje. Ognajoski thotë për KOHA se shtatë rastet e vetme brenda pesë viteve të kaluara u regjistruan gjatë vitit 2011.“Ne e ndjekim situatën vazhdimisht në terren. Nëse marrim para sysh pesë vitet e kaluara, situata paraqitet e qëndrueshme sa i përket sëmundjes së fruthit. Nga viti 2009 e deri më tash, përjashtim bënë vetëm viti 2011, kur patëm të regjistruar shtatë raste të prekura nga fruthi”, thotë Ognjanoski. Fruthi ose morbilli, është sëmundje ngjitëse virale, që klinikisht përcillet me temperaturë të lartë, me shenja të shprehura katarrale dhe paraqitjen e ekzantemës nëpër lëkurë dhe enantemës në mukozë. Fruthi zakonisht atakon moshat fëmijërore, por mund të paraqitet edhe te të rriturit. Fruthi përhapet përmes spërklave të ajrit dhe para përdorimit të vaksinës, sëmundja është paraqitur në formë epidemike çdo 2-5 vite. Pas aplikimit të vaksinës, incidenca e kësaj sëmundje është zvogëluar, por herë pas here paraqiten epidemi në popullatën joimune. Në vendet e pazhvilluara fruthi është njëri nga problemet kryesore shëndetësore për moshat e fëmijëve, ku për shkak të komplikimeve në sistemin nervor qendror dhe sistemin respirator, vdekshmëria arrin deri në 20%. Burim infeksionit është njeriu i sëmurë, i cili e mban virusin në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes. Në Maqedoni vaksinimi i obliguar kundër fruthit ka filluar në vitin 1971, i cili e ka përmirësuar shumë gjendjen epidemike me këtë sëmundje, por përkundër kësaj, Maqedonia, ka pasur një shkallë më të lartë të vdekshmërisë nga kjo sëmundje në krahasim me vendet e rajonit. Thuajse i zhdukur në shumë vende, sëmundja e fruthit mund të bëhet përsëri një kërcënim. Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, njofton se rastet e fruthit kanë ardhur duke u shtuar në 33 vende të ndryshme të botës. (koha.mk)