Në Tearcë qindra banorë me virozë, dyshohet se vjen nga uji

Mjekja Majlinda Dervishi pohon se gjatë katër ditëve të fundit ka numër enorm të pacientëve me temperaturë. Pacientët janë të moshave të ndryshme, por ka edhe të hospitalizuar dy gra shtatzëna në Shkup

Urim HASIPI

Tetovë, 8 gusht – Dikur rreth 350 pacientë nga Komuna e Tearcës dhe Jegunocit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikën në Tearcë. Ata kanë patur temperaturë, vjellje dhe barkqitje. Ndërkaq, rreth 200 pacientë nga fshati Tearcë, gjatë 48 orëve të fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikën e këtij fshati. Ata janë ankuar për vjellje, barkqitje dhe plogështi. Kjo është konfirmuar nga mjekët në klinikën e fshatit, sipas të cilëve, pacientët të gjithë kanë patur të njëjtat simptoma. Dyshimet janë se kjo virozë ka ardhur nga uji, megjithëse disa nga mjekët thonë se nuk ka vend për panik, shkruan gazeta KOHA.

“Kjo virozë ka sjellë një fluks prej 200 vizitave, të cilët kanë patur simptome të përafërta njëra me tjetrën. Shumica kanë qenë me diare, temperaturë, ku pas marrjes së terapisë, trajtimin e kanë vazhduar në shtëpi. Tek këta pacientë nuk ka patur komplikime. Mendohet se është një virozë, por nuk kemi informacione deri tash nga vjen. Shpresoj se Instituti kompetent do të dalë me komunikatë nga vjen kjo. Nuk është për t’u shqetësuar diçka, nuk ka të shtruar asnjë pacient në spitalin e Tetovës apo të Shkupit. Dyshimet janë se kjo vjen nga uji, por është çështje e institucioneve”, tha mjeku Betim Limani.

Por situata paraqitet dramatike edhe në fshatrat tjerë të rajonit nga Drenoveci e deri në Jazhincë. Mjekja Majlinda Dervishi pohon se gjatë katër ditëve të fundit ka numër enorm të pacientëve me temperaturë. Pacientët janë të moshave të ndryshme, por ka edhe të hospitalizuar dy gra shtatzëna në Shkup. Vetëm brenda gjatë ditës së djeshme ka patur 170 pacientë, kurse numri rritet çdo ditë, ndërsa brenda katër ditëve ka patur 350 pacientë, shprehet ajo.

“Katër ditëve të fundit kemi numër të madh të pacientëve, të cilët vijnë në klinikën tonë, disa me temperaturë, vjellje dhe barkqitje. Për këtë dyshojmë se vjen nga ushqimi ose uji. Pacientët i kemi nga rajoni i Drenovecit e deri në kufi në Jazhincë. Pacientët janë nga dy komuna, pra Tearcës dhe Jegunocit. Ata janë të moshave të ndryshme, janë fëmijë, të rritur. Nuk mund të themi se është rrota virus, sepse ka raste kur vetëm një anëtar është i përfshirë, kurse ka raste ku në një familje të 7 personat kanë temperaturë dhe simptome tjera të njëjta. Gjatë ditës së mërkurë kemi patur 170 pacientë. Kemi kaos në mëngjes kur vijmë në punë, sepse gjendja është alarmante, disa pacientë kemi dërguar edhe në Shkup”, tha mjekja Dervishi.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Komunën e Tearcës thonë se gjatë ditës së pardjeshme dhe ditës së sotme, nga ana e Institutit për Shëndet Publik janë marrë mostra të ujit dhe sot ose nesër më së voni do të ketë rezultate për gjendjen e ujit në këtë vendbanim.“Sepse është periudhë verore, të mos krijohet panik, të mos krijohen nervozë të panevojshme, dhe do të ketë informatë për gjendjen e ujit. Tash në këtë periudhë sasi e ujit në burime është zvogëluar, nuk është hera e parë që kemi këtë situatë dhe është kyçur uji i lumit dhe në çdo kohë uji kontrollohet, i hedhim klor”, tha Boban Petrushevski, nga Ndërmarrja Publike Komunale në Komunën e Tearcës. Nga Instituti për shëndet publik ende nuk kanë dalë me informacione për gjendjen e ujit në këtë fshat edhe përkundër shumë insistimeve tona. Në ndërkohë, reagoi Lëvizja Besa dega në Tearcë.“Nga informatat fillestare nga ana mjekëve, si shkaktar paraqitet ndotja e ujit të pijshëm. Në pamundësi për tu afruar ujë të pijshëm me standarde, ditëve të verës është bërë praktikë që lumenjtë t’i futin në rezervuaret e ujit duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse qendrore dhe atyre lokale që të merren seriozisht me këtë problematikë ngase ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve të Komunës së Tearcës dhe të reagohet menjëherë për të parandaluar ndonjë epidemi eventuale të përmasave më të mëdha”, thuhet në komunikatën me shkrim të Lëvizjes Besa, dega në Tearcë. (koha.mk)