Kumanovë, 7 gusht – Kushte të rënda në pikën kufitare të Tabanocës në Kumanovë. Policët kufitar punojnë jashtë çdo standardi themelor, ndërsa pjesa e madhe e policëve – në këto temperatura të larta, kanë marrë pushim mjekësor, shkruan gazeta KOHA. Pa ujë të pijshëm, pa kondicioner dhe mobilje të rehatshme, punonjësit e kësaj pike kufitare janë të detyruar të kryejnë shërbime jashtë çdo kriteri. “Në këto temperatura mbi 40 gradë, brenda në kabinën kufitare nxehti arrin mbi 50 gradë. Karriget janë të drurit, si dikur nëpër klasa e shkollave që kishim. Dyshemeja e thyer dhe e konsumuar, ndërsa kondicionerët nuk punojnë. Ujin e pijshëm detyrohemi ta marrim nga shtëpitë, sepse nuk ka ujë. Natën e grijmë që ditën të pimë ujë, apo e kundërta – ditën e ngrijmë për të pirë natën, varësisht nga oraret e ndërrimeve që i kemi me kolegët”, thotë një polic i dëshpëruar me kushtet jonjerëzore në këtë pikë kufitare, ndërsa tregon se një numër i madh i policëve kanë marrë pushime mjekësore me qëllim që t’i shpëtojnë të nxehtit këto ditë. Madje, nga temperaturat e mëdha që kanë mbretëruar brenda kabinave të pikës kufitare në Tabanoc, ka ndërhyrë edhe Ndihma e Shpejtë e Kumanovës. “Muajin e kaluar, nga temperaturat e larta u alivanos një kolege police dhe ndërhyri Ndihma e Shpejtë, ndërsa u dërgua në Spitalin e Kumanovës për shkak të dehidrimit. Jemi ankuar disa herë, por përgjigje nga Shkupi nuk kemi. Thjeshtë – është situatë e padurueshme. Po na detyrojmë të marrim nga shtëpitë karrige dhe freskuese…”, ankohen për KOHA punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tabanoc. (koha.mk)