Stokholm, 6 dhjetor – Filluan sot në Stokholm negociata paqësore nën patronatin e Kombeve të Bashkuara, me të cilat duhet t’i jepet fund luftës katërvjeçare civile në Jemen.
Lufta civile në Jemen ka sjellë deri në një nga krizat më të mëdha humanitare në botë. Mijëra njerëz të tjerë kanë humbur jetën në përleshjet mes forcave qeveritare dhe huthëve, ndërsa miliona njerëz përballen me uri.
Konsultimet për herë të parë vazhdojnë nga viti 2016, ndërsa tentativa e fundit për marrëveshje paqësore në shtator përfundoi pa sukses, sepse huthët nuk u paraqitën në negociatat në Gjenevë.
Edhe nga bisedimet në Suedi nuk pritet shumë, por përfaqësues të KB-së shpresojnë se do të vendoset kornizë për bisedime për zgjidhjen e ardhshme politike të krizës në Jemen, si dhe se do të parandalohet beteja për portin Hudaida në Detin e Kuq, ku janë të zënë peng mijëra civilë.
Përfaqësuesi i posaçëm i të KB-së për Jemenin, Martin Grifits arriti që pas dy viteve përfaqësuesit e palëve në luftë t’i ulë në tryezë të përbashkët. Bisedat do të orientohen drejt parandalimit të eskalimit të përleshjeve, si dhe të hapave për pengim ose të paktën lehtësim të krizës humanitare.
Përfaqësuesi i Qeverisë jemenase, Abdullah al-Alimi para se të udhëtojë për në Suedi deklaroi se bisedimet janë “shansi i drejtë për paqe”.
Ndërsa shefi i huthëve, Mohamed Abdelselam theksoi se nuk do të kursehet në bisedimet, por i paralajmëroi luftëtarët kryengritës që të “jenë të kujdesshëm” në çfarëdo qoftë përpjekje të eskalimit ushtarak.
Konflikti në Jemen, shteti më i varfër arab, ka filluar në vitin 2014 kur kryeqyteti Sana u pushtuar nga kryengritësit shiitë huthë, të cilët e kanë rrëzuar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht. Nga viti 2015 huthët, të cilët kanë mbështetje nga Irani, luftojnë edhe me koalicionin ushtarak ndërkombëtar të kryesuar nga Arabia Saudite, e cila është aleate e Qeverisë jemenase.
Sipas të dhënave të KB-së, në Jemen janë vrarë të paktën 6.660 civilë, ndërsa 10.560 janë lënduar në luftime. Mijëra njerëz kanë vdekur nga uria, sëmundjet dhe mjekimi i keq.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në tetor kumtoi se në Jemen çdo javë paraqiten rreth 10.000 raste të reja të dyshimta të kolerës.