Në Stamboll u organizua kurorëzim kolektiv për 43 çifte të cilët ishin martuar më parë, por që nuk kanë arritur të kurorëzoheshin zyrtarisht, raporton Anadolu Agency (AA). Ky kurorëzim i pazakontë u mbajt në organizimin e komunës Gaziosmanpasha. Në ceremoni i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Gaziosmanpasha të Stambollit, Hasan Tahsin Usta, i cili para të pranishmëve tha se organizimi i kurorëzimit kolektiv është si shenjë e përgjegjësisë shoqërore ndaj qytetarëve. “Jemi të lumtur që sot ndajmë lumturinë e tyre të madhe. Jemi të kënaqur që në kuadër të këtij projekti social arritëm të mundësonim kurorëzimin për çifte që më parë nuk arritën të bënin kurorëzim për arsye të ndryshme. Me këtë rast do t’ju ndajmë edhe dhurata. Shpresojmë se edhe në të ardhmen do të organizojmë kurorëzime kolektive”, tha Usta. Behiye Polat, një nga të sapokurorëzuarat që sot edhe zyrtarisht u kurorëzua, tha se ishte e lumtur që kishte rastin të marrë pjesë në një ngjarje të tillë, megjithëse, siç tha, kanë kaluar gjashtë vjet që nga martesa e saj. Murat Demirkran, i cili tashmë 26 vjet ishte martuar, tha se për shkak të detyrimeve dhe problemeve të caktuara nuk arriti më parë të bënte kurorëzimin zyrtar. Familjet, miqtë dhe përfaqësuesit komunalë u vendosën unazat e martesës “nuseve” pas ceremonisë.