Madrid, 23 gusht – Në Spanjë ka ndërruar jetë edhe një person nga bakteri “listeria” e marrë përmes konsumimit të mishit të derrit. Ky është rasti i dytë që nga shpërthimi i epidemisë, deklaroi sot zëdhënësi i Sekretariatit shëndetësor të Andaluzianit, Hoze Migel Kosnenos.
Sipas tij, ka ndërruar jetë një burrë 72 vjeçar i cili ishte në fazën terminale të kancerit në pankreas.
Listeria mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për personat me imunitet të dobët dhe për gratë shtatzëna.
Epidemia e listerias është shpallur në Andaluzia më 15 gusht dhe deri më tani janë infektuar 186 persona. Viktima e parë ishte një grua 90 vjeçare.
Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë dhënë paralajmërim për tërë vendin.
Mishi i infektuar është prodhuar në kompaninë “Magrudis” nga Sevilja, transmeton “El Pais”.
Njëkohësisht edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kumtoi se ekziston mundësi që të paraqiten raste të listerias edhe në vende të tjera, nëse turistët konsumojnë mish të infektuar të derrit.(koha.mk)