Sofje, 5 maj – Presidenti bullgar Rumen Radev këtë mëngjes do të dorëzojë mandatin e tretë grupit parlamentar të Partisë Socialiste bullgare për të formuar Qeveri. Vendimi i Këshillit Kombëtar të PSB është që të kthejë menjëherë mandatin, duke përfunduar kështu procedurën kushtetuese për formim të Qeverisë në kuadër të Asamblesë së 45-të Kombëtare.
Sipas ligjit bullgar, presidenti do të duhet të caktojë Qeveri të përkohshme, të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të shpall zgjedhje të reja.
Këtë pasdite, presidenti Radev do të zhvillojë konsultime me forcat parlamentare në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar nga Asambleja e 45-të Kombëtare, në mënyrë që të njihen me nominimet e propozuara prej tyre për përbërjen e KQZ-së.
Me dekret, kreu i shtetit bullgar miratoi rregullat për kryerjen e konsultave publike dhe procedurë për emërimin e përbërjes së KQZ-së.