Në situatë pandemie dhe pa publik, Shkupi sfidon nënkampionin Shkëndija

 Për shkak të pandemisë me koronavirusin, sezoni futbollistit do të fillojë më 8 gusht, me xhiron e parë e cila do të luhet pa publik në stadiumet tona

42

Bujar KURTAJ

Shkup, 7 gusht – Pas një pauze të gjatë për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, të shtunën dhe të dielën rikthehen emocionet në futbollin vendor, ku në program do të zhvillohet xhiroja e parë e Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut. Siç e dimë ndeshjet do të zhvillohen pa publik dhe nën masa të rrepta sigurie pas rekomandimeve që u janë dhënë klubeve nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe organeve kompetente të shtetit tonë.

Sigurisht se në xhiron e parë nuk do të mungojnë ndeshjet derbi, ku do të zhvillohen dy super ndeshje, ajo mes FC Shkupit dhe Shkëndijës dhe Renovës dhe Struga Trim Lum. Por, pa dyshim se vëmendja kryesore do të përqendrohet në stadiumin në Çair, ku do të përballen FC Shkupi dhe KF Shkëndija. Futbollistët e të dyja skuadrave në këtë ndeshje do të hyjnë me imperativin fitore, por kjo do të mësohet vetëm pasi të përfundojnë 90-të minutat e rregullta. Ndryshe, nga të dyja taboret janë të vetëdijshëm se do ta kenë vështirë fillimin e sezonit duke marr parasysh se një kohë të gjatë nuk kanë luajtur ndeshje kampionale, por theksojnë se duhet të ambientohen në këtë situatë që e ka kapluar gjithë botën dhe të japin më të mirën për ti arritur rezultatet e dëshiruara.

“Pa dyshim se ky do të jetë një sezon krejt ndryshe. Jemi dëshmitar se kemi pa në ligat më të forta evropiane se si ka shkuar puna me protokolle, pastaj pa tifoz, e gjithë kjo si rezultat i pandemisë së COVID-19. U bë një kohë e gjatë pa luajtur futboll në vazhdimësi dhe këtë e vërejtëm edhe në ndeshjet kontrolluese. Por, duhet të potencoj se kemi punuar me mjaft përkushtim dhe kemi dhënë maksimumin që sezonin ta fillojmë sa më mirë të jetë e mundur”, shprehet për gazetën KOHA Besar Iseni.

“Ndeshja me Shkëndijën do të jetë e vështirë për vetë faktin se është e para dhe asnjë ekip nuk arrin përgatitjet maksimale në fillim sezoni. Do të duhet të kompozohet mirë ekipi, pasi kemi edhe përforcime të reja. Do të dalim në fushë për të dhënë më të mirën nga ne dhe të fillojmë sezonin me pozitivitet”, deklaroi Iseni. Në anën tjetër goleadori dhe futbollisti më i mirë në radhët e skuadrës tetovare, Besart Ibraimi thotë se mungesa e tifozëve për të dyja skuadrat do të jetë një hendikep, por skanë rrugëdalje tjetër dhe do të duhet të përballen me këtë pandemi.

Besart Ibraimi

“Për ne e rëndësishme do të jetë që të hyjmë në kampionat duke fituar tre pikët. Për këtë do të japim maksimumin në fushë. E dimë që do të jetë vështirë pasi Shkupi ka ekip cilësor dhe meriton respekt. Sigurisht se në këtë ndeshje derbi do të mungojnë tifozët, por e kemi patjetër të përballemi me këtë situatë pandemie”, deklaroi për gazetën KOHA, Ibraimi.  

Ndërkohë, xhiroja e parë fillon sot, me përballjen mes Vardarit dhe Borecit, ndërsa pas përballjes mes FC Shkupit dhe KF Shkëndija, të dielën do të zhvillohen edhe tre përballjet tjera. Renova do të pret Struga Trim Lumin, skuadra e Pelisterit e cila këtë sezon u rikthye në elitën e futbollit vendor do të pretë skuadrën e Akademija Pandevit. Bellasica, e cila gjithashtu u rikthye në elitën e fubollit vendor do të pret Sileksin, ndërsa në Shkup zhvillohet derbi lokal mes Makedonija Gj.P. dhe Rabotniçkit.

Xhiroja e parë, ora 17.30, takohen:

E shtunë:
Vardari Boreci

E diel:
Shkupi – Shkëndija
Mak.Gj.P. – Rabotniçki
Bellasica – Sileksi
Pelisteri – A.Pandevi
Renova – Struga T.L.

 

 

Comments are closed.