Për të luftuar korrupsionin dhe për të mos lejuar abuzime si vitet e kaluara gjatë përzgjedhjes së projekteve fituese Ministria e Kulturës ka vendosur që anëtarët e komisioneve do të zëvendësohen me emra të rinj, për të cilët do të jetë e vështirë të harmonizohen qëndrimet e tre partive që drejtojnë këtë institucion, LSDM, BDI dhe Besa. Konkursi i vitit 2021 është konkursi i fundit që do të financohet sipas formës së vjetër, pasi Ligji i ri (për Realizimin e Interesit Publik në Kulturë), do të ndryshojë edhe modeli i deritanishëm të financimit në kulturë
Evis HALILI
Shkup, 14 nëntor – Afati i konkurrimit për Programin vjetor me interes nacional në kulturë për vitin 2021 është mbyllur të premten dhe në Ministrinë e Kulturës ende nuk kanë vendosur emrat e rinj të anëtarëve të komisioneve që do të shqyrtojnë projektet e propozuara. Për të luftuar korrupsionin dhe për të mos lejuar abuzime si vitet e kaluara gjatë përzgjedhjes së projekteve fituese Ministria e Kulturës ka vendosur që anëtarët e komisioneve do të zëvendësohen me emra të rinj. Vonesat sa i takon emërimeve lidhen edhe me mënyrën sesi do të bien dakord brenda institucionit që drejtohet nga tre parti, LSDM, BDI dhe Besa. Nga MK pohojnë se në të shtatë komisionet do të zgjidhen emra të spikatur nga sferat e letrave, muzikës, artit skenik, e të tjerë.
Konkursi i vitit 2021 është konkursi i fundit që do të financohet sipas formës së vjetër, pasi me miratimin e Ligjit të ri për Realizimin e Interesit Publik në Kulturë, do të ndryshojë edhe modeli i deritanishëm i financimit në kulturë, dhe që supozohet të jetë në favor të mbështetjes financiare në kulturë pa paragjykime, pa selektime partiake, ideologjike ose slektime të tjera negative. Me ardhjen e ministres së re të Kulturës, Irena Stefoska, kriteret e konkurrimit ndryshuan, ndikuar nga vërejtjen e Antikorrupsionit, por edhe të Nënkomitetit të BE-së për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale.
“Këto ndryshime thelbësore në konkurse u bënë pas vërejtjeve të Revizionit, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje me nevojën për kritere të qarta për përcaktimin e shumës së fondeve për projektet e mbështetura. Edhe rekomandimet e BE –së të cilat tregojnë se Ministria e Kulturës duhet të punojë në forcimin e kapacitetit të saj në mënyrë që të eliminojë rrezikun e mundshëm të korrupsionit në kulturë, gjithashtu na ndihmuan shumë”, deklaroi ministrja pas shpalljes së konkursit të këtij viti.
Këtë vit institucionet nacionale të kulturës për herë të parë nuk marrin pjesë në këtë afat konkurrimi, pasi me ndryshimin e Ligjit të kulturës gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme projektet e tyre janë dorëzuar në muajin gusht. Konkursi u hap nga data 8 tetor deri më 13 nëntor në të shtatë kategoritë e konkurrimit – Arteve vizuale, arkitekturës dhe dizajnit – Folklorit, muzikës dhe aktivitetit muziko skenik -Dramës, Letërsisë dhe botimit – Projekteve interdisiplinore – Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar. Rezultatet e konkurseve do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës dhe në to do të prezantohen informacione për periudhën dhe vendin e aplikimit, shumën e akorduar nga ana e Ministrisë së kulturës, por edhe një përshkrim të shkurtër për realizuesin e projektit.
Këtë vit nga MK potencuan se në secilën fushë të konkursit, aplikantët në projektet e tyre duhet t’i kushtojnë vëmendje përfaqësimit të barabartë gjinor, përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara dhe dialogut ndërkulturor. Nga “Kulturë për të gjithë” motoja e sivjetshme artikulohet “Kultura tani!”, që do të thotë krijimi i një skene kulturore që përfshin të gjithë dhe arrin të gjithë. (koha.mk)