Tash e në të ardhmen çdo idealist i këtij vendi do të mendohet shumë mirë, para se të kërkojë çrrënjosjen e krimit, korrupsionit, zhvatjes, nepotizmit nga politika, për arsye se pikërisht do të jetë politika (opozita e djeshme , pushteti i sotëm) ajo që ditën bëhet sikur i lufton këto devijime, kurse natën bën gjumë në një shtrat me to
Nga Emin AZEMI
SHQIPTARËT NË MAQEDONI, TË “SPECIALIZUAR” PËR PARCIALIZIM DHE FRAGMENTIM TË PROBLEMEVE. Në sipërfaqen e akujve të pashkrirë të dobësive tona vazhdon të rrëshqasë, nga viti në vit, nga qeveria në qeveri, nga mandati në mandat, hutueshëm dhe frikshëm, selektimi negativ, si kriter valorizues i (pa)aftësive tona. Dhe në fund, ka të ngjarë që të ngelim të gjithë duke rrëshqitur në akujt e moskonsolidimit tonë si shoqëri, si komb e si intelektualë.
Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut ende nuk po munden të bëhen destinacione atraktive për investitorët e huaj. Kjo po ndodhë për arsye se elitat politike të këtyre shteteve me vite po investojnë në ‘instalacione’ ekonomike të afërta me pushtetin, të cilët pas kalimit të mandatit transformohen në oligarkë dhe ata frik e frik bëhen milionerë që blejnë fusha të zbrazëta buzë detit në Dubaj për të mbjellë ‘filizat‘ e kultivuar brenda ‘serrës’ qeverisëse, në formë të ndonjë hoteli gjigant.
Gjermania e ‘varfër’ vazhdon të kujdeset për mirëqenien e popullatës sonë, duke kompensuar vendet e punës, të premtuara nëpër fushatat e zjarrta elektorale të këtushme, ndërkohë që politikanët tanë milionerë për një mandat qeverisës bëhen gjermanë të pasur.
Një shoqëri e organizuar mbi baza të prioriteteve dhe agjendave, nuk ka nevojë për qasje parciale. Shqiptarët në Maqedoni aktualisht janë të “specializuar” për parcializim dhe fragmentim të problemeve, ndërkohë që bota po globalizohet, kurse komunikimi gjithnjë e më shumë po digjitalizohet. Për rrjedhojë, edhe përfitimet që mund t’i kemi nga diaspora, dhe anasjelltas, ende po trajtohen sipas një dioptrie parcializuese dhe për pasojë kemi një listë të gjatë rastesh të dështuara, kur individë vullnetmirë nga diaspora kanë ardhur të startojnë ndonjë biznes këtu, por kanë përfunduar të zhgënjyer. Jo vetëm për shkak të qasjeve grabitçare të ndërmjetësuesve të caktuar të cilët si cuba të uritur kanë dëbuar shumë mërgimtarë, por edhe për shkak të mungesës së një strategjie institucionale që do të ishte në funksion të aktivizimit të kapaciteteve dhe resurseve të diasporës.
Praninë e mërgimtarëve ne e kemi kuptuar vetëm si çështje private të individëve me ambicie që përfundojnë brenda oborreve të shtëpive. Por askush s’po mendon që këto çështje të marrin edhe një dimension pak a shumë shoqëror e publik. E pakta që mund të bëhet në këtë drejtim, do të ishte formimi i një shoqate që do të evidentonte të gjitha prirjet dhe resurset e mërgimtarëve. Sikur të ekzistonte një shoqatë e tillë në rang kombëtar, problemet do të detektohehin më lehtë dhe ardhjen e mërgimtarëve nuk do ta kuptonim vetëm si çështje personale të individëve, por edhe si preokupim shoqëror, fundja edhe si resurs me përfitime të mëdha ekonomike, kulturore e sociale.
ZËRAT BUXHETOR SPECIFIKOJNË KAHE ZHVILLIMORE TË RAJONEVE TË CAKTUARA.Deri më tani është dëshmuar se BERZH paraqitet si investitor kryesor në Maqedoninë e Veriut dhe deri më tani i ka investuar afro 2 miliardë euro në 115 projekte.
Por, një temë që mbetet pezull e që nuk trajtohet me përkushtim as nga institucionet financiare ndërkombëtare, përfshi edhe BERZH, është zhvillimi (jo)proporcional i rajoneve në RMV. Nëse i bëhet një inspektim më i detajuar hartës së investimeve, do të vërejmë se Shkupi, pjesa qendrore dhe lindore e vendit, janë targetet kryesore të investimeve të jashtme dhe të brendshme. Në këtë hartë ende mungon fokusimi i duhur për rajonet e banuar me shqiptarë dhe kjo ka ndikuar që shumë të rinj të gjejnë zgjidhje në vendet e Perëndimit ku më lehtë sigurojnë një vend pune dhe perspektivë më të madhe kulturore e arsimore.
Por, kjo pasqyrë do të dilte e paplotë, nëse nuk merret parasysh edhe gjendja faktike sa i përket angazhimeve konkrete të Qeverisë në tejkalimin e dallimeve dhe qasjeve në zhvillimin rajonal të vendit. Zërat buxhetorë të kësaj Qeverie janë shumë komplekse, fare pak të profilizuar dhe për rrjedhojë nuk specifikojnë kahe zhvillimore të rajoneve të caktuara, të cilët me dekada kanë ngecur, pikërisht në saje të politikave të gabuara qeveritare. Nëse pushteti i ri erdhi për të korrigjuar gabimet e pushtetit pararendës, këtë do të duhej ta shijojnë edhe rajonet e banuara me shqiptarë.
Në anën tjetër mungon edhe një angazhim më serioz i përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët me planet dhe idetë e tyre do të mund të absorbonin jo vetëm fuqinë financiare nga jashtë, kryesisht nga diaspora e Europës dhe Amerikës, por do të përvetësonin edhe shumë ide, bashkë me resurset njerëzore që momentalisht ndodhen në këto vende.
KOMANDANTËT DHE LUFTËTARËT ANONIMË. Pas luftërave të fundit që ndodhën, profesioni më i përhapur ndër shqiptarë ishte ‘komandant’. ‘Po vjen komandant filani’. ‘Ka thënë komandant fisteku’. ‘Mos e prek se është e komandant komandantit’ etj.etj. Një popull me kaq shumë komandanta, dhe me kaq pak beteja të fituara në frontet e luftës, tregon se diçka nuk është në rregull me të kuptuarit drejt të nocionit luftë. Ose nuk është diçka në rregull me ata që përcaktojnë kritere se kush mundet e kush jo të bëhet komandant.
Ata që kanë vdekur në front, askush nuk i quan komandant. A keni dëgjuar ndonjëherë ti thuhet komandant Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit, Agim Ramadanit, veç nëse Ilir Shaqirit a Shkurte Fejzës iu ka dashur për hir të rimës t’i stolisin emrat e tyre me përkëdhelinë semantike që krijon fjala ‘komandant’.
Të jesh luftëtar i UÇK-së nuk është njësoj si të jesh komandant. Sepse, komandantët u prodhuan me shumicë pas luftës, kurse luftëtarët, ose vdiqën, ose vazhduan të bëjnë jetë anonime, të harruar nga ata që ‘frajk e frajk’ veshën kapotat e huazuara të komandantëve.
‘PRAPA PERDEVE’, ATJE KU PADREJTËSIA KA SHTY RRËNJË. Askush nuk e kishte menduar se pas tejkalimit të kontestit me Greqinë, Maqedonia e Veriut do të ketë edhe sfida të tjera që do ta vështirësonin rrugëtimin e saj eurointegrues. Por, një e vërtetë mbeti konstante: mania e politikës për të ndërtuar një shtet mbi kompromise të këqija. Po del që kjo mani të jetë më gjeneroze në prodhimin e efekteve të brendshme destabilizuese, se sa çfarëdo qoftë kërcënim nga jashtë.
Pakti me djajtë e pazareve gri, e lë shtetin në duar të pasigurta, kurse ata që mundohen të fshihen pas qëllimeve sublime, shpesh herë bëhen bashkëfajtor në dështimin e proceseve.
Amnistimi i deputetëve e bartësve të funksioneve të larta publike nga përgjegjësia për krimet dhe abuzimet e bëra në periudhat e kaluara, përfshi edhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit, si dhe urdhërdhënësit e ndryshëm për prishjen e aparaturave të përgjimeve, pa harruar edhe ish kryeministrin në ikje, janë plagët e pambyllura të një morali të dyfishtë politik e gjyqësor, i cili ngjashëm si brirët e dashit në thes, nuk mund të fshehë përmasat e deformimit në sytë e publikut.
Këtu asnjë përfaqësues i ish regjimit nuk është dënuar për babëzitë që ka bërë, duke kullufitur miliona euro në grykën e uritur të pangopësisë që të jep pushteti i pakontrolluar. Por, në anën tjetër, këtu gjyqësori është treguar mjaft agjil, kur ka dënuar shqiptarë të pafajshëm dhe kur (padrejtësinë) e ka bazuar mbi pasione të skajshme të njëanshmërisë.
Jeta që zhvillohet në terren, përfshi edhe atë nëpër burgje, dhe kancelaritë e freskuara nga ajri i marrë hua prej taksapaguesve, janë dy botë krejtësisht paralele. Nëse diplomatët që na bëjnë nder me vizitat e tyre, nuk e shohin edhe jetën ‘prapa perdeve’, atje ku padrejtësia ka shty rrënjë, atëherë ata e bëjnë vetëm gjysmën e punës.
MANDATI QË BURON NGA POPULLI DHE LOJALITETET PARTIAKE. “Shteti i poshtër”, “Shteti i ka fajet”, janë këto slogane që shpërndahen në hapësirat tona të mbushura me mjegulla patriotiko-partiake, ndërkohë që punët konkrete që duhet të kryhen kanë bartës konkret, me emra e mbiemra të përvetshëm. Sallamadia për të fajësuar shtetin dhe për të amnistuar funksionarin e shtetit, do të na kushtojë shumë shtrenjtë, deri atëherë kur do ta kuptojmë se mandati që buron nga populli duhet të përkthehet në vepra konkrete e jo në lojalitete partiake për të zgjatë kohëzgjatjen e pushtetit.
Atëherë kur mandati (lexo:pushteti) përputhet plotësisht me interesat jetike të popullit, ai mandat patjetër që do të krijojë traditën pozitive të shtetndërtimit, ku mikrokozmosi i qytetarit shkrihet pahetueshëm në galaktikën gjigante të shtetit. Vetëm kështu do të mund të bëjmë diferencimin në mes të kornizës që quhet shtet dhe fotografisë që quhet përgjegjësi individuale e atyre që punojnë në shtet. Nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë diferencim, atëherë të gjitha kornizat do të ‘mburren’ me boshësinë e mesazhit të papërfunduar figurativ.
ABUZUESIT E SOTËM DO TË SHPALLEN NESËR TË PAFAJSHËM. Besimi i dikurshëm i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, që personifikohej me PSP-në, tash më është rrëzuar përtokë, ndonëse që në fillim kishte një optimizëm të rezervuar për sa i përket fushëveprimit dhe fuqisë vendimmarrëse të këtij institucioni. Skeptikët thoshin se në këtë shtet asnjë iniciativë nuk shkon deri në fund. Pra,sipas tyre, as PSP nuk mundet ta kryej funksionin e saj, për të cilin ishte formuar dhe për rrjedhojë sërish ‘peshqit e mëdhenj’ do të ngelin jashtë rrjetit të drejtësisë. Sa keq kur dalin prognozat e dashakëqinjëve.
Kultura e mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit, që u instalua edhe në pushtetin ri, është pengesa kryesore e mosarritjes së një kompromisi për formimin e Prokurorisë së re që do të merrej me ndjekjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.
Këto lëshime, sa janë zhgënjyese për njerëzit që votuan për një Maqedoni tjetër, të liruar nga krimi, reketi, korrupsioni, nepotizmi, po aq janë dëshpëruese edhe për çdo iniciativë të shoqërisë civile e cila aksionin e vet qytetar nuk do ta mbështeste më në kauza të antikorupsionit. Tash e në të ardhmen çdo idealist i këtij vendi do të mendohet shumë mirë, para se të kërkojë çrrënjosjen e krimit, korrupsionit, reketit, nepotizmit nga politika, për arsye se pikërisht do të jetë politika ajo që ditën bëhet sikur i lufton këto devijime, kurse natën bën gjumë në një shtrat me to.
Nesër, sigurisht edhe abuzuesit e sotëm do të shpallen të pafajshëm. Nesër, edhe ata që sot e vjedhin shtetin, u bëjnë reket bizneseve dhe kurdisin tenderë pa rregulla transparente, do të amnistohen, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet pandëshkueshmëria e politikave korruptive.
Në shtetet me deficite demokratike institucionale e vendimmarrëse, gjithmonë janë krijuar aleanca të fshehta në mes të sistemit të drejtësisë dhe politikanëve. Këta të fundit nuk kanë dashur të ngrenë institucione kredibile të drejtësisë, sepse kanë qenë shumë të vetëdijshëm se ata do të mund të jenë klientët e parë të atyre institucioneve. Dorëzimi i stafetës së mosndëshkimit, nga njëri pushtet tek tjetri, nga njëra kastë oligarkësh tek kasta tjetër, po ndodhë në kohën kur ky shtet synon të bëhet pjesë e Europës. Politikanët e këtushëm duke e garantuar dhe kontraktuar në mes veti kulturën e mosndëshkimti për vepra kriminale, të kryera gjatë mandateve qeverisëse, po harrojnë se do ta kenë vështirë ta bindin, bie fjala presidentin e Francës, Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron, dhe kolegët e tij brenda BE-së, të japë dritë jeshile për datën e negociatave, në vitin në vijim. (koha.mk)