Shkup, 22 tetor – Në shumë shtete evropiane janë regjistruar numra rekord të të infektuarve të rinj me Kovid-19, ndërsa në Francë dhe në Spanjë numri i të infektuarve është rritur mbi një milionë.
Instituti Robert Koh sot kumtoi se në 24 orët e fundit në Gjermani janë regjistruar 11.287 persona të rinj të infektuar dhe 30 raste të vdekjes.
Numër rekord i të infektuarve të rinj është regjistruar edhe në Poloni dhe në Çeki.
Në Poloni në 24 orët e fundit janë regjistruar 12.107 persona të rinj të infektuar dhe 168 raste të vdekjes.
Ndërsa në Çeki në 24 orët e fundit janë regjistruar 14.968 persona të infektuar me kovid-19. Në periudhën e njëjtë 69 persona e kanë humbur jetën nga pasojat e Kovid-19.
Nga fillimi i pandemisë, Çekia me popullatë prej 10,7 milionë banorëve, shënon rritje më të madhe të numrit të të infektuarve të rinj në Evropë. Deri më tani janë konfirmuar 208.915 persona të infektuar dhe 1.793 raste të vdekjes.
Numri i të infektuarve me Kovid-19 në botë është rritur në 41 milionë.