Shkup, 11 nëntor – Në muajin shtator të këtij viti janë dhënë 214 lehe për ndërtim, që është për 2,3 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Është paraparë ndërtim i 176 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme të dobishme prej 20.383 metra katrorë, njoftoi sot Enti shtetëror për statistikë, njofton KOHA.
Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve arrin 1.988.722 mijë denarë, që është për tre për qind më pak në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.
Nga numri i përgjithshëm i lejeve të dhëna për ndërtim, 122 ose (57 për qind) dedikohen për objekte nga ndërtimi i lartë, 25 ose (11,7 për qind) për objekte nga ndërtimi i ulët dhe 67 ose (31,3 për qind) për objekte për rikonstruim.
Nga gjithsej 214 objekte, në 140 (65,4 për qind) si investues paraqiten persona fizikë, ndërsa në 74 (34,6 për qind) subjekte afariste. (koha.mk)
2019-11-11 14:20:25, nga Fortuna Bakija