Tiranë, 23 mars – Në Shqipëri rritet numri i personave të vdekur nga “Kovid-19”. Në mëngjes është regjistruar viktima e katërt, një burrë i moshës 43 vjeçare, i cili ka qenë i hospitalizuar në Klinikën infektive në Tiranë.
“Pas përkeqësimit të gjendjes gjatë natës, pacienti 43 vjeçar nga Kavaja ishte vendosur në aparatin respirator. Edhe krahas përpjekjeve të mjekëve, ai vdiq herët në mëngjes. Pacienti nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër”, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Ai është viktima e katërt nga “Kovid-19” në Shqipëri, por edhe pacienti më i ri i cili e humbi jetën.
Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje te familjarët e të vdekurit, apelon edhe njëherë te qytetarët rreptësisht t’i respektojnë rekomandimet e kompetentëve dhe të paraqiten në numrin e telefonit 127 nëse kanë shenja të sëmundjes.
Sipas të dhënave të djeshme, numri i të infektuarve me këtë virus të rrezikshëm në Shqipëri është 89 persona, prej gjithsej 804 të testuarve.
Tre nga të infektuarit janë shëruar.
Viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri ishte një grua 73 vjeçare nga Durrësi, e cila vdiq më 11 mars. Në datë 18 vdiq burri 66 vjeçar nga Lushnja, mbrëmë një burrë 71 vjeçar nga qyteti Kuçovë dhe në mëngjes burri 43 vjeçar nga Kavaja.