Tiranë, 21 qershor – Pas pesëmbëdhjetë muajve nga dy rastet e para të konfirmuara me Kovid-19 duket se Shqipëria po përshëndetet me virusin e rrezikshëm.
Pas numrave të ulët njëshifrorë të rasteve të reja të infektuara në bazë ditore, gjatë 24 orëve të kaluara për herë të parë virusi është diagnostikuar vetëm te një person nga 1.542 testet e bëra.
Për herë të parë është numri më i vogël edhe i të hospitalizuarve. Nga 107 rastet aktive, në Klinikën Infektive po trajtohen vetëm tre pacientë me kovid.
“Vazhdojmë me procesin e vaksinimit masiv, derisa nuk imunizohet edhe banori i fundit i vendit tonë. Sot filluam me vaksinimin e personave të moshës prej 50 deri 59 vjet. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të kësaj moshe që të aplikojnë në portalin „e-Albania“ që të sigurojnë termin për vaksinim. Ju bëj thirrje edhe atyre të cilët tashmë kanë vendosur që ta marrin dozën e parë që të lajmërohen në pikat e vaksinimit që ta marrin dozën e dytë”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo, e cila nga afër e ndoqi procesin e imunizimit në pikën për vaksinim masiv në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë paralajmëroi se sonte duhet të mbërrijë dërgesë e re prej mbi 11.000 doza të vaksinave nga Fajzer.
“Bashkë me 100.000 vaksinat nga Sinovak të cilat mbërritën këto ditë, deri më tani ka mbi 1.067.950 vaksina që mbërritën në vend”, përderisa sot presim përsëri mbi 11.000 mijë vaksina”, theksoi Manastirliu.
Ajo shtoi se janë imunizuar 880.912 me çka me dy doza janë mbuluar 365.028 persona.