Çdo vit mijëra pacientë të moshave të ndryshme zbulojnë se vuajnë sëmundja e diabetit. Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se fatkeqësisht pjesa dërrmuese e tyre vijojnë të diagnostikojnë sëmundjen në stade të avancuara, kohë në të cilën kanë nisur të shfaqen edhe ndërlikimet e saj.
Dje, në “Ditën Botërore të Diabetit”, krahas apelit për diagnostikime të hershme, strukturat e shëndetit publik kanë konfirmuar se zyrtarisht në të gjithë vendin janë identifikuar tashmë 78 mijë pacientë me sëmundjen e diabetit, shkruan “Dita”. Por shifra në realitet mund të jetë shumë herë më e lartë, duke qenë se një pjesë e mirë e tyre, për shkak të mungesës së simptomave të dukshme, nuk e dinë që po zhvillojnë këtë sëmundje.
Një tjetër fakt shqetësues që mjekët vënë në dukje është edhe shpeshtësia e sëmundjes tek fëmijët. Sipas tyre, nëse më parë fëmijët me diabet Tip 2 kanë qenë të rrallë, tani kemi një rritje të këtij tipi të diabetit te fëmijët, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, dhe në disa vende përbëjnë gati 1/2 e rasteve të reja të diagnostikuar me diabet te fëmijët dhe adoleshentët.
Evidentimi i rasteve të reja
“Në Shqipëri janë të diagnostikuar rreth 78 mijë diabetikë, ndërkohë që çdo vit diagnostikohen afërsisht 4 mijë raste reja me diabet. Vetëm gjatë këtij viti nga kontrolli mjekësor bazë, 8.6 për qind e 411 mijë qytetarëve që e kanë kryer “check-up”, kanë rezultuar me diabet dhe 14.5 për qind janë identifikuar pre-diabetikë, që tregon numrin e lartë të rasteve”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Kostoja e papërballueshme e diabetit
Sipas ekspertëve të shëndetit publik diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze, si: sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave- deri në insuficiencë renale dhe dializë, infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj.
Tek të sëmurët diabetikë rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti është shkaku i 7 i vdekjeve në botë. Diabeti prek rreth 5 për qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë afërsisht 500 milionë diabetikë, apo 6.3 për qind e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.
Rimbursimi i trajtimit për diabetikët
Përballë shifrave në rritje të pacientëve që kanë këtë sëmundje, ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se Shqipëria po financon 100 për qind të gjithë terapinë e mjekimit për personat që vuajnë nga diabeti dhe bëri apel për kryerjen në kohë të kontrolleve periodike, për të parandaluar komplikacionet e kësaj sëmundjeje.
“Qeveria ka garantuar trajtimin e 78 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 15 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët. Personat me diabet përfitojnë falas 33 lloje barna që përbëjnë terapinë e plotë për këtë sëmundje”, tha ministrja Manastirliu. Duke theksuar se një lehtësi që i kursen çdo familje që ka një fëmijë apo të ri me diabet 1.2 milion lekë në vit, është rimbursimi i fishave të diabetit falas, Manastirliu tha se po vlerësohet mundësia për shtrirjen e mbulimit edhe për të moshuarit mbi 65 vjeç.
“Pas fëmijëve 0-18 vjeç mundësuam fishat e diabetit falas edhe për studentët. Nga Janari 2019 janë shpërndarë 346 mijë fisha diabeti falas për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç, ndërsa po vlerësojmë mundësinë për ta shtrirë mbulimin me fisha edhe për pensionistët”, u shpreh Manastirliu.
Ndryshimet në kryerjen e konsultave
Me ndryshimet e bëra, pacientët me diabet tashmë i marrin barnat me rimbursim çdo 6 muaj, pa patur nevojë të kryejnë procedurat e përmuajshme tek mjeku i familjes.
“Gjithashtu nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë. Një tjetër lehtësirë është ofrimi i recetave 6 mujore për të gjithë diabetikët e stabilizuar”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.
Dallimi ndërmjet diabetit tip 1 dhe diabetit tip 2
Diabeti tip 1 fillon zakonisht në fëmijëri, ose në rininë e hershme, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me dëmtime të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën (qelizat beta).
Kurse në diabetin tip 2, i cili zakonisht fillon pas moshës 50 vjeç prodhimi i insulinës është normal, por për arsye të ndryshme qelizat nuk e përdorin dot atë, dhe glukoza rrjedhimisht nuk hyn dot në qeliza, por rrit nivelin e saj në gjak (hyperglycemia). Pacientët me diabet tip 1, kanë rrezik të lartë për dëmtimin e enëve të gjakut, zhvillimin e aterosklerozës, sulmeve në zemër, dëmtimin e veshkave, të syve, si edhe deficitet nervore, etj.
Analizat që duhet të bëni
Specialistët e shëndetit publik sqarojnë se diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike siç janë:“Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gram sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll.
Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë, ose më shumë se 126 mg/dl, ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë, ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet, apo tolerancë e dëmtuar e glukozë.
Përveç kontrollit të glicemisë është nevojshme që të kontrollohen e të korrigjohen:
Tensioni Arterial me qëllim që tensioni të jetë
Kolesteroli total me qëllim që Kolesteroli të jetë
Trigliceridet me qëllim që Trigliceridet të jetë
Të ndërpritet pirja e duhanit.
Dieta.
Aktiviteti fizik.
Diabeti tip 2 më i shpeshtë, shoqërohet me simptoma të tilla, si:
Etje e vazhdueshme.
Goja është vazhdimisht e thatë.
Urinim i shpeshtë.
Ndjenja e urisë bëhet e pazakontë.
Rënia ose shtimi i papritur në peshë.
Lodhje e shprehur.
Vizion i paqartë.
Dhimbje koke.
Prania e plagëve që kërkojnë kohë për t;u mbyllur.
Infeksione të shpeshta mykotike (sidomos midis gishtave të këmbëve dhe duarve, rrëzë kofshëve dhe poshtë gjoksit).
Infeksione të lëkurës, apo edhe të aparatit urinar.
Çrregullime seksuale, kryesisht ulje të potencës seksual.