Për misionin e OSBE në Shqipëri, situata përpara zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit paraqitet jo e mirë, pasi në vendin tonë sipas tij qarkullojnë më tepër se 2 miliardë euro para të pista. Në intervistën e parë televizive që prej marrjes së detyrës, ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, në “Tonight Iva Tare” thotë se “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”. Sipas tij, kjo është arsyeja se pse OSBE është pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të shmangur apo më saktë për të limituar sa më shumë blerjen e votave. Pozitiv, sipas tij, është fakti se pavarësisht se për një kohë të gjatë prodhimi i kanabisit nuk ka qenë një shqetësim i madh për qeverinë e opozitën, tani është bërë shqetësim për të dyja palët. Për ambasadorin, protesta e opozitës është legjitime por ai shikon me shqetësim bojkotin e Kuvendit, çka sipas tij do ngadalësojë ecurinë e reformave, kryesisht atë në drejtësi.