Në Shqipëri po rritet numri i të infektuarve me Kovid-19, gjë të cilën e konfirmojnë të dhënat e ditëve të fundit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 277 raste të reja, që është 28,9 për qind e 957 testeve të bëra. Njëkohësisht nuk është regjistruar person i vdekur si pasojë e këtij virusi, janë shëruar 61 të sëmurë, ndërsa në spital po trajtohen tetë pacientë.
“Duke u nisur nga rritja e përditshme e të infektuarve, e përsërisim thirrjen që qytetarët të vaksinohen, të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm, veçanërisht në periudhën që vijon kur po rriten kontaktet për shkak të lëvizjes në sezonin veror”, bën thirrje Ministria.
Përkujton se çdo person i moshës mbi 12-vjeç mund të vaksinohet në të gjitha institucionet shëndetësore.
Statistika zyrtare konfirmon se deri më tani në vend janë bërë 1.840.232 teste, rezultat pozitiv është marrë te 277.940 persona, janë shëruar 273.398, aktivë janë 1.045, ndërsa kanë ndërruar jetë 3.497 persona.
Disa nga epidemiologët, infektologët dhe ish-ministra nuk besojnë në këtë statistikë duke thënë se numri i të infektuarve është rreth 500 mijë, ndërsa të vdekur janë rreth 16 mijë. Në Shqipëri në evidencën e të vdekurve nuk futen të vdekurit në shtëpi ose ata të cilët ishin të sëmurë nga ndonjë sëmundje tjetër.