Tiranë, 3 dhjetor – Të sapoinfektuar 782, të vdekur 13 dhe të shëruar 572 është bilanci i situatës epidemiologjike gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të kaluara janë bërë 2.256 testime, ndërsa virusi është diagnostikuar te 782 persona, që është rreth 37 për qind e të testuarve. Edhe krahas të gjitha përpjekjeve të personelit shëndetësor betejën e humbën 13 persona të gjithë në kushte spitalore. Për fat të mirë, janë shëruar 572 persona, informoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në katër spitalet për Kovid janë të hospitalizuar 480 pacientë, prej tyre 33 janë në terapi intensive, përderisa 14 janë të intubuar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë bërë 197.062 teste, pozitiv në virus ishin 40.501, janë shëruar 20.484, përderisa 852 kanë ndërruar jetë.
Në ndërkohë vazhdojnë kritikat në adresë të Qeverisë dhe Ministrisë për përballje joadekuate me pandeminë.
Pas kërkesave të djeshme të ekspertëve të shëndetit publik që të rritet numri i testeve dhe zgjerimi i masave kufizuese, sot pasdite ish ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili akuzoi se “masat kundër Kovid-19 po ndërmerren verbërisht”.
Ai shtoi se rritja e numrit të rasteve të vdekjes është alarmante.
“Çështja e të vdekurve nuk mund të kalohet me deklarata politike. Duhet të shihet mënyra e zbatimit të protokolleve. Rritja e numrit të rasteve të vdekjes për më shumë se 60 për qind është shumë serioze dhe kërkon analizë të hollësishme sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish. Kjo është situatë shumë serioze në gjithë territorin dhe kjo kërkon veprim urgjent. Masat kundër Kovid-19 po ndërmerren verbërisht”, tha Vasili.
Ai shtoi se kjo është sepse nuk bëhen mjaftueshëm teste dhe theksoi se në situatën në të cilën ndodhet vendi duhet të bëhen prej 5.000 deri 6.000 teste në ditë.