Tiranë, 26 gusht – Të dhëna shqetësuese ka publikuar inspektori shtetëror i punës të Shqipërisë në lidhje me numrin e punëtorëve të cilët jetën e kanë humbur gjatë aksidenteve në vendet e punës.
Sipas kryeinspektorit Arben Seferaj, në gjashtë muajt e parë të këtij viti nga aksidentet në punë kanë humbur jetën 25 persona.
“Kemi 99 raste aksidentesh të ndodhura në punë, me 88 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 25 me pasojë vdekje”, tha Seferaj.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Seferaj tha se ndaj firmës Xhimi, nuk ishte kryer asnjë inspektim që prej vitit 2016, pasi Inspektorati i Punës nuk ka mjaftueshëm staf.
“Inspektorati i Punës me burimet njerëzore që ka deri më sot mbulon me inspektime jo më shumë se 6% të bizneseve aktive në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet pse subjekti nuk është inspektuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës”, potencoi ai.
Seferaj tha se Inspektorati i Punës do të propozojë një paketë të re ligjore për ashpërsimin e masave ndaj subjekteve që nuk zbatojnë ligjin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla.