Tiranë, 26 janar – Numër i lartë prej 879 të infektuarish të rinj me Kovid-19 është regjistruar në 24 orët e fundit në Shqipëri, fenomen i pranishëm në dy javët e fundit, kur edhe numri i testeve është mesatarisht rreth tre mijë në ditë.
“Nuk po qetësohet situata epidemiologjike me virusin e rrezikshëm në vend. Në 24 orët e kaluara, nga 3.605 testet e bëra rezultat pozitiv është marrë tek 24 për qind të të testuarve. Bëjmë thirrje të rreptësisht të respektohen masat dhe protokollet, mbani maskë mbrojtëse kudo jashtë shtëpive tuaja, shmangni grupimet, mbani distancë dhe higjienë personale, në mënyrë që ta parandalojmë përhapjen e infeksionit”, apelon Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas të njëjtit burim, numri i vdekjeve është pothuajse në të njëjtin nivel, përkatësisht tetë persona të gjithë në kushte spitalore, ndërsa në listën e të shëruarve janë 589 persona. Një rritje e lehtë është vërejtur te personat e hospitalizuar – 284 në katër spitale kovid, 21 në kujdes intensiv, nga të cilët pesë janë të intubuar.
Në vend deri më tani janë testuar 340.321 raste të dyshimta, koronavirusi është diagnostikuar te 73.691 (22 për qind e të testuarve), janë shëruar 44.880, aktivë në sëmundjen janë 27.479. ndërsa kanë vdekur 1.332 persona.
Pikërisht për shkak të kësaj situate epidemiologjike, Komiteti kombëtar i ekspertëve për ballafaqim me pandeminë, në takim me Ministren e Arsimit, Evis Kushi nuk e pranoi kërkesën e studentëve, të cilët bënë kërkesë për mësimdhënie me prani fizike.
Gjithashtu edhe më tej mbetet në fuqi vendimi për orë policore nga ora 22:00 deri në orën 06:00, vendosur më 11 nëntor të vitit 2020.