Tiranë, 28 shkurt – Një lehonë me njërin prej binjakëve ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Tiranë si pasojë e virusit AH1H1, i njohur si gripi i derrit.
Gruaja 36-vjeçare është hospitalizuar disa ditë, pas lindjes së parakohshme.
Njëra prej foshnjave nuk është infektuar prej këtij gripi të rrezikshëm dhe sipas mjekëve është në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas këtij rasti, shefja e Sektori të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino i ka bërë apel të gjitha grave shtatzëna dhe grupeve në rrezik të vaksinohen kundër gripit.
“Ajo ishte në moshën 36-vjeçare, shtatzënë dhe e humbi jetën së bashku me njërin prej binjakëve të sapolindur. Tjetri është në gjendje të mirë shëndetësore. Gjinekologët, mjekët, infermierët, gratë shtatzëna konsiderohen si grupe në rrezik nga gripi. Apelojë që të vaksinohen me qëllim që të mbrojnë vetveten dhe fëmijët e tyre”, porositi ajo.
Shtoi se edhe pse nuk ka rritje të numrit të të sëmurëve nga gripi, shqetësimi mbetet, prandaj nevojitet imunizimi .
“Fruthi vazhdon të përhapet në vend dhe kush e ka shtyrë vaksinimin e fëmijës së tij ose nuk është vaksinuar, ta bëjë këtë menjëherë. Fruthi nuk e shmang askënd dhe nuk dallon kufirin e moshës”, potencoi Bino.
Nëna dhe foshnja janë viktima e gjashta, respektivisht viktima e shatë nga gripi në Shqipëri, ku gjashtë prej pacientëve kanë qenë të infektuar me virusin AH1H1, respektivisht me gripin e derrit.