Tiranë, 16 mars – Në Shqipëri mbrëmë mbërriti dërgesa me 9.360 doza të vaksinave anti-kovid nga Fajzer nga 200 mijë të dakorduara.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtim Arben Ahmetaj, të cilët e pritën dërgesën, paralajmëruan mbërritje të shpejtë të sasisë së re të vaksinave prej rreth 60 mijë doza.
“Mbërritën 9.360 doza, në suaza të marrëveshjes sonë me Fajzer. Do të vazhdojmë me rivaksinim, ashtu që me dozat e dyta do ta rrumbullaksojmë gjithë pjesën e parë të imunizimit të personelit mjekësor, për personat në shtëpitë e të moshuarve, si dhe për personat mbi 80 vjet, për të siguruar mbrojtje të plotë. Nga ana tjetër, nga muaji prill do të vazhdojmë t’i marrim dozat sipas marrëveshjes, dhe do të vazhdojmë me vaksinim të kategorisë mbi 80 vjet, për ta zgjeruar edhe në grupe tjera të të moshuarve”, tha Manastirliu.
Shtoi se deri tani në vend kanë arritur mbi 80.000 vaksina kundër Kovid-19, ndërsa janë vaksinuar 27.365, kryesisht punonjës shëndetësor, si dhe persona më të moshuar se 80 vjet dhe mësimdhënës, për të cilët vaksinimi në Tiranë filloi të shtunën prej dje edhe në të gjithë territorin e vendit.
Në ndërkohë edhe më tutje numra të lartë të të infektuarve dhe të vdekur regjistrohen në vend. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dje janë regjistruar 543 të sapoinfektuar, por edhe numër më i vogël i të testuarve krahasuar me ditët paraprake, vdiqën 15 persona ndërsa janë shëruar 578 persona.