Shkup, 12 dhjetor – Eksporti i Maqedonisë është i larmishëm dhe i shumëllojshëm. Ai nuk karakterizohet vetëm me eksportin e katalizatorëve të Xhonson Metit, feronikelit të Industrisë Feni, duhanit, autobusët e “Van Hollit” apo këmishët që dallohen midis dhjetë prodhimeve më të eksportuara të Maqedonisë. Analiza e prodhimeve të ndryshme që eksportojnë kompanitë vendore e publikuar në gazetën KOHA tregon se në këtë listë renditen edhe kauçuku, vajra të naftës, tapa etj., që nuk bëjnë pjesë ndër prodhimet që rriten apo e kanë origjinën vendore, por si lëndë e parë importohen dhe përpunohen për eksport. Gjithashtu, përveç domateve, duhanit, mishit të qengjit, ajvarit apo verës, si prodhime tradicionale bujqësore, janë eksportuar edhe prodhime jo-tradicionale, siç janë pëllumba, papagaj apo edhe breshkat. Përkundër asaj se nuk kemi burime të naftës, megjithatë kemi eksportuar edhe vajra të naftës në vlerë prej 42 milionë dollarë, materiale mjekësore si gjilpëra, katetera dhe të ngjashme në vlerë prej 10 milionë dollarë, balona dhe shishe prej plastmase në vlerë prej 6 milion dollarë, kërmij në vlerë prej 5 milion dollarë, kutia prej kartoni 2.9 milion dollarë, aparate për ngrohje të shtëpive në vlerë prej 11 milionë dollarë në Itali, e kështu me radhë… Faktin se kemi eksportuar mallra të vlefshëm me qindra milionë dollarë e që nuk i takojnë prodhimeve vendore tradicionale të tregut tonë, nga ana e ekonomistëve shpjegohet me atë se shumica e shteteve në botë e bëjnë në gjë të tillë, duke importuar lëndë të para për përpunim e që më vonë i shesin në tregje tjera. “Për ekonominë e vendit është shumë mirë që të gjenden mënyra që të eksportohen edhe ato prodhime që nuk i kemi në këto hapësira, duke marrë parasysh importin e prodhimeve të caktuara, përpunimin dhe eksportin e tyre për të realizuar fitim” , thotë për gazetën KOHA profesori universitar, Dimko Kokarovski. Në ndërkohë analiza e institucioneve relevante bujqësore tregojnë se në Maqedoni rritet edhe eksporti i kafshëve të caktuara dhe jo vetëm i lopëve apo qengjit. Raporti vjetor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari tregon se një pjesë e caktuar e kafshëve vendore kanë kaluar kufijtë e Maqedonisë për të pasur si destinacion ndonjë nga fermat botërore. Një pjesë e tyre kanë shërbyer për përmirësimin e vetive gjenetike të ndonjë race, ndërsa të tjerat për mbarështim të kafshëve. Krahas kafshëve në listë janë edhe shpezët. Vetëm në vitin e kaluar janë eksportuar mbi 3400 pëllumba që kanë gjetur blerësit e tyre në Austri, Belgjikë dhe Bullgari, si dhe 30 kanarina dhe 30 papagaj. Në listën e eksportit gjenden edhe 1000 bletë amë dhe qindra koshere të bletëve. Agronomët thonë se edhe pse jemi shtet i vogël, kemi prodhime cilësore unike bujqësore që kërkohen në tregjet e jashtme. Nga kafshët vitin e kaluar më së shumti kemi eksportuar pula, edhe atë 34 mijë copa në fermat e Shqipërisë. Të dytët në listë janë pëllumbat, kanarinat dhe skifterët që kanë përfunduar në Zvicër, Danimarkë dhe Turqi. Gjithashtu në tregjet evropiane në vitin e kaluar kanë përfunduar edhe mbi 20 papagaj ekzotikë që janë lindur në Maqedoni. Rreth 500 lopë janë eksportuar në Shqipëri, ndërsa 18 mijë breshka notojnë në shtëpitë e pronarëve të rinj në Kinë, Poloni dhe Tajvan. Ekspertët e bujqësisë thonë se Maqedonia falë traditës së begatshme nga ish shteti jugosllav, organizimit në shoqata të ndryshme, përkushtimit dhe pasionit të individëve, por edhe njohurive profesionale të ekspertëve të kafshëve, posedon rasa cilësore të kafshëve, madje edhe të atyre shtëpiake. Shpesh kultivuesit vendor nxjerrin kampionë të shpendëve të ndryshme që kërkohen në tregjet e jashtme, siç janë për shembull pëllumbat për fluturim, ndërsa kemi edhe mjaft lloje të ndryshme që kërkohen për shumim, siç është rasti me bletët cilësore amë, theksojnë agronomët. Në ndërkohë, statistika thotë se mbi 80 për qind e eksportit të Maqedonisë realizohet në Bashkimin Evropian. Në vitin e kaluar kishim eksport prej afër 4 miliardë euro dhe import prej afër 5.8 miliardë euro, me një deficit prej 1.7 miliardë euro. Ndryshe, rritja e eksportit që do të sjellë përfitime më të mëdha për shtetin kërkon sajimin e prodhimeve me vlerë të shtuar apo fazë të avancuar teknologjike të përpunimit dhe kërkon investime dhe fabrika të reja nga ana e investitorëve vendorë, të cilëve duhet t’ju barazohen kushtet e investimit me investitorët e huaj. Ekspertët ekonomik sugjerojnë se rrugëdalja e vetme për ekonominë e Maqedonisë është rritja e investimeve dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese, me çka do të krijohej mirëqenie e qytetarëve në kushte të liberalizimit të ekonomisë që sfidohet nga konkurrenca e brendshme, por edhe e jashtme. Ajo që i mungon dhe që e determinon konkurrencën e vogël të prodhimeve të Maqedonisë jashtë vendit është se krahas mungesës së prodhimeve me vlerë të shtuar, nevojitet edhe importi më i madh i pajisjeve të sofistikuara dhe teknologjisë si bazë për një prodhim cilësor vendor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.