Plot 15 centimetra është parashikimi që ekspertët japin për ngritjen e nivelit të ujit të detit në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme. Duke shtuar se një sasi e tillë, do të shtojë nivelin e përmbytjeve në vendin tonë.
“Rritja e nivelit të ujit të detit pritet të jetë deri në 2 cm në vitin 2025 dhe 15 cm deri në vitin 2050, duke sjellë përmbytje të zonave nën nivelin e detit”, citojnë saktësisht ekspertët. Për të pohuar më tej se komunitetet që jetojnë në këto zona, pritet që të zhvendosen më në brendësi të vendit.
“Plazhet në zonat specifike, Shëngjin, Kune-Vain, Tale, Patok dhe Ishëm do të jenë më të përmbytur. Po kështu, përmbytjet mund të ndikojnë pjesërisht plazhet e ndodhura në zonat më në lartësi, Durrës, Golem, Divjakë, Himarë, Borsh”, thuhet më tej në dokumentin e lartpërmendur të qeverisë.
Që të gjitha këto, shifra që sipas ekspertëve, duhet të merren parasysh nga autoritetet, për t’u bërë ballë pasojave gjithmonë e më negative të pritshme nga dëmtimet e përmbytjeve gjatë viteve në vijim.
Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, përmbytjet i kanë sjellë vendit tonë dëme që arrijnë deri në nivelin prej vetëm 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe në tërësi, për këto 27 vite të tranzicionit, ky institucion pohon se Shqipëria ka pësuar një dëm total prej 24.7 milionë dollarësh si pasojë e tyre. Duke shtuar se situata pritet të përkeqësohet, pasi parashikohet që deri në vitin 2080 rreziku nga përmbytjet parashikohet të dyfishohet, e ndikuar kjo nga ndryshimet klimatike, por edhe urbanizmi pa plan.
Edhe pse Shqipëria rezulton si një ndër vendet me dëmin më të vogël nga përmbytjet, sipas Bankës Botërore, ajo do të ketë goditjen më të shpeshtë nga katastrofat natyrore.