Tiranë, 1 dhjetor – Në 24 orët e fundit, përsëri numër i lartë i të infektuarve të rinj me Kovid-19 në Shqipëri, por është regjistruar edhe përqindje e lartë e të sapoinfektuarve nga të testuarit.
“Në 24 orët e fundit, janë realizuar 2,176 teste, me ç’rast rezultat pozitiv është marrë te 832 persona, që është 38 për qind e atyre që janë testuar. Në të njëjtën kohë, 535 e fituan betejën me virusin e rrezikshëm, ndërsa 12 persona vdiqën, të gjithë në kushte spitalore”, informoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas të njëjtit burim, që nga fillimi i marsit deri më tani janë realizuar 192.620 teste, pozitivë ishin 39.014, janë shëruar 19.384, kanë vdekur 822, ndërsa aktivë në sëmundjen janë 18.808 njerëz.
Si pasojë e rritjes së numrit të pacientëve dhe plotësimit të kapaciteteve në tre spitalet e tjera, siç deklaroi Ministrja, Ogerta Manistirliu, është hapur edhe spitali i katërt kovid.
Në katër spitalet janë hospitalizuar 506 pacientë, prej tyre 39 janë në kujdes intensiv ndërsa 11 janë të intubuar.
Ministrja kumtoi se është tejkaluar problemi për të cilin ankoheshin familjarët e spitalit se nuk mund t’i dorëzojnë gjërat e nevojshme dhe të informoheshin për gjendjen e të dashurve të tyre që janë në trajtim spitalor.
Në takimin që ka pasur me disa prej tyre para Klinikës së Sëmundjeve Infektive, ajo kumtoi se këtë do të mund ta bëjnë çdo ditë nga ora 9-11 dhe nga ora 16-17 në qendrat e informacionit që do të vendosen para spitaleve.