Tiranë, 27 nëntor – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi se vazhdon trendi i numrit të madh të të infektuarve, të vdekurve dhe të shëruarve nga Kovid-19 në Shqipëri.
“Në 24 orët e fundit, përqindja e personave që janë diagnostikuar me Kovid-19, mbetet e pandryshuar, pra 30 për qind e atyre që janë testuar. Janë kryer 2.201 testime dhe rezultat pozitiv është marrë tek 645 persona. Betejën me virusin e fituan 403 persona ose gjithsej 17.755 persona nga gjithsej 36.245 persona të infektuar”, njoftojnë nga Ministria.
Më tej, thuhet se njëkohësisht, deri më tani 18 ose gjithsej 771 persona kishin vdekur. Mes të vdekurve është dhe piktorja e famshme akademike Lumturi Blloshmi, 76 vjeçe, e cila ishte infektuar tre javë më parë. Blloshmi u krahasua me piktoren e shquar meksikane, Frida Kahlo.
Aktualisht janë 17.719 persona aktivë në sëmundje, nga të cilët 463 janë të shtruar në tre spitalet kovide, prej të cilëve 33 janë në gjendje të rëndë.
Përkundër pretendimit të autoriteteve se ka mjaft shtretër spitalorë, mediat raportojnë për kapacitete të stërmbushura spitalore.
Televizioni Njuz 24, transmetoi pamje që tregojnë të paktën dhjeta ambulanca në oborrin e dy spitaleve kovide dhe në to ka pacientë që janë në gjendje të rëndë
Atyre u jepet kujdes mjekësor deri në lirimin e shtratit spitalor. Në video xhirim shihet gjithashtu ambulanca jashtë oborrit të spitalit që presin të lirohet vend për të hyrë.
Mbrëmë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, garantoi se ka shtretër spitalor të lirë dhe u bëri thirrje qytetarëve, të cilët janë në një formë më të rëndë të sëmundjes, të mos vonohen, por të lajmërohen menjëherë në spitalet kovid.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike në vend, nga 1 dhjetori, mësimi në arsimin fillor dhe të mesëm do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, onlajn dhe me praninë fizike të nxënësve dhe jo si më parë vetëm me praninë fizike. Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollat fillore, si dhe maturantët do të ndjekin mësimet me prani fizike, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në mënyrë onlajn.