Italia mund të dalë në zgjedhje të reja në shkurt, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Anxhelino Alfano. “Parashikoj se zgjedhjet mund të mbahen në shkurt”, tha ministri për gazetën “Koriere dela sera”. Ashtu siç transmetojnë mediat britanike, Alfano këtë vlerësim e nxori pas bisedave me Mateo Rencin, i cili pardje dha dorëheqje pas referendumit të pasuksesshëm për ndryshimet kushtetuese. Presidenti italian Serxho Matarela në ndërkohë e luti Rencin të mbetet në funksion deri në votimin e buxhetit të ri që duhet të ndodhë deri të premten. Në ndërkohë, ndryshe nga ç’pritej tregjet financiare dhe bursat nuk u tronditën prej referendumit në Itali. Indekset e bursave në Londër, Frankfurt dhe Paris shënuan plus, dhe madje edhe humbjet në bursën e Milanos me më pak se 1% ishin të papërfillshme. Me sa duket investitorët u surprizuan pak si nga jo-ja e referendumit edhe nga deklarata për dorëheqje e kryeminstrit Matteo Renzi. Por megjithatë problemet mbeten. Dhe Italia duket se është më larg se kurrë një zgjidhjeje. Bankat italiane vuajnë prej kredish të këqija, të cilat sipas FMN-së kapin një vlerë rreth 360 miliardë euro. Dy bankat më të mëdha të Italisë, banka më e madhe e vendit Unicredit dhe banka Monte dei Paschi di Siena (MPS), që renditet e treta, duan të grumbullojë javët e ardhshme disa miliarda për të arritur një rritje të kapitalit. Atyre u duhen të holla për të mundur t’i transferojnë disa nga kreditë e tyre të këqija në një fond ndihme. Por gjetja e investitorëve tani mund të bëhet edhe më e vështirë. Në bursën e Milanos aksionet bankare ishin të hënën humbëset e mëdha. Banka Monte dei Paschi di Siena ka nevojë për pesë miliardë para të freskëta – gati nëntë herë më shumë se sa vlen vetë kjo bankë aktualisht në treg. Unicredit shpreson të mbledhë deri në 13 miliardë euro, pra aq sa e ka vlerën e saj aktuale në treg. Në rast se bankat nuk e mbledhin dot kapitalin që u nevojitet do të duhet që ato t’i shpëtojë shteti italian. Por kjo është mjaft e vështirë për shkak se borxhi i Italisë është rreth 130 për qind. Carsten Brzeski, kryeekonomist i bankës ING Diba thotë se sa i përket Eurozonës nuk ka pse të kemi shumë frikë, sepse borxhet e shtetit italian mbaren kryesisht prej italianëve dhe prandaj ata nuk do t’i shesin bonot e tyre të thesarit. Po ashtu përqindjet e interesit për momentin janë tepër të ulta. Brzeski është po ashtu optimist, se nëse qeveria e re italiane do të drejtohet prej ndonjë teknokrati që do të ketë mbështetjen e gjerë në parlament, ai mund të nisë edhe një reformë në sektorin bankar dhe do ta bëjë këtë ndoshta edhe më mirë se Renzi. Kurse Marcel Fratzscher, shef i Institutit më të madh studimor ekonomik gjerman DIË në Berlin, mendon se gjendja në Itali përbën rrezik për të gjithë eurozonën, dhe se Italia mund të jetë guri i parë i dominosë për një Evropë më të dobët, me më pak rritje ekonomike dhe paqëndrueshmëri më të madhe në tregjet financiare.