Qeveria pritet më së voni në muajin shkurt të miratojë pakon e pestë të ndihmës ekonomike me qëllim që biznesi më lehtë të kapërcejë problemet e shkaktuara nga pandemia. Për këtë qëllim janë siguruar tashmë 50 milionë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 janar – Qeveria pritet që më së voni në muajin shkurt të miratojë pakon e pestë të ndihmës ekonomike me qëllim që biznesi më lehtë të kapërcejë problemet e shkaktuara nga pandemia . Ndër të tjerash, një nga prioritetet do të jenë edhe bizneset e vogla. Sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, masat do të orientohen ndaj sektorëve ku janë shënuar më shumë ulje e të ardhurave si dhe lëshime të punëtorëve nga puna. Për këtë qëllim janë siguruar 50 milionë euro në buxhetin e vitit 2021. “Masat dhe propozimet do të diskutohen me Odat ekonomike , ndërsa në fillim të muajit shkurt do të dalin edhe me masat konkrete dhe do të fillojnë realizimin e tyre”, thotë Bekteshi. Sipas tij, biznesi mund të presë ndihmë edhe për pagën e muajit janar në rast se Parlamenti do të votojë ligjin për ndihmë financiare në fund të muajit janar apo në fillim të muajit shkurt, me çka kompanitë do të kenë mundësi të plotësojnë kërkesat deri tek Drejtoria për të Ardhura Publike nga fillimi i muajit shkurt.
Ministri Bekteshi ka informuar edhe për miratimin e kërkesave për kredi nga linja e kredisë pa kamatë, Kovid 3 me grand komponenta që ka filluar të realizohet. Sipas tij, kërkesat e kredisë në shumën totale prej 5.9 milionë euro janë aprovuar për 506 kompani me 3552 të punësuar. Të premten është caktuar edhe Këshilli Ekonomik-Social ku do të diskutohen ndër të tjerash edhe këto masa. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se shteti duhet të gjejë mënyra që të zgjerojë ndihmën për biznesin. “Nevojitet të gjenden mënyra që të përkrahet sektori privat në mënyrë shtesë. Mbetet të shikohet se a do të jetë kjo përmes lehtësimit të kuadrit ligjor, lehtësimit të kompensimeve të ndryshme, ofrimit të masave stimuluese apo përmes miratimit të legjislacionit që do të ndihmojë ristrukturimin e fuqisë punëtore”, thotë konsulenti ekonomik Vllatko Danaillov.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e punëdhënësve vlerësojnë se ndihma shtetërore do të duhet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm për shkak se dëmet e pandemisë nuk do të ndalen edhe në periudhën që vijon. “Telashet dhe hallet që shkakton pandemia do të zgjasin së paku deri në muajin maj, andaj edhe nëse tek ne do ulen shifrat e të sëmurëve në zero, megjithatë do të shfaqet problem me shitjen e prodhimeve tona në tregjet evropiane ku janë të mbyllura dyqanet dhe nuk ka blerës, andaj kjo pako e pestë e ndihmës ekonomike është e domosdoshme”, thotë Angel Dimitrov, numri një i Organizatës së Punëdhënësve. Ai uron që këto të masa të arrijnë të miratohen me kohë nga qeveria dhe kuvendi me qëllim që biznesi të mund të shfrytëzojë në muajin shkurt. Ndryshe, një pjesë e ekonomistëve dhe opozita kanë paralajmëruar se realizimi i deritanishëm i të katër pakove për ndihmë ekonomike nuk është realizuar deri në fund. Të dhënat e mesit të muajit tetor kanë treguar se nga 550 milionë euro në tre pakot e para janë realizuar 33 për qind. Në pakon e katërt, një pjesë e masave janë vonuar për shkak se kanë ngecur në kuvend, nuk kanë kaluar filtrin apo dhe kanë kaluar dritën e gjelbër si zgjidhje ligjore që mund të realizohen në praktikë. (koha.mk)