Shkup, 16 dhjetor – Gjykatësja Tatjana Mihajllova në seancën e sotme gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike në lidhje me ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013 i refuzoi dëshmitë e PSP nga të ashtuquajturat bomba dhe dëshmi të një dëshmitari të rrezikuar. Sipas Mihajllovës, dëshmitë që dalin nga përgjimi ilegal janë ilegalisht të siguruara, ndërsa vendimin që të mos lejojë të dëshmojë një dëshmitar i rrezikuar e elaboroi se për këtë vepër penale nuk është parashikuar një dëshmitar i këtillë. Në kumtesën e vendimit të gjyqtares Mihajllova ka përfunduar seanca përgatitore, ndërsa debati kryesor është caktuar për në shkurt të vitit 2017 kur deklarata duhet të japin të akuzuarit. Padia është kundër 14 personave, të cilët ngarkohen se kanë organizuar tubime të dhunshme para komunës Qendër për shkak të kontestimit të paralajmëruar të Planit të detajuar urbanistik nga ana e Këshillit të komunës. Mes të akuzuarve është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe deputetja Daniella Rangellova, të cilët sot u paraqitën në gjykatë. Përfaqësuese e Prokurorisë Speciale është prokurorja Fatime Fetai. Prokuroria speciale publike e ka ngritur këtë rast më 15 shtator të këtij viti.