Shkup, 4 tetor – “Ne i kemi borxh Bekimit”, kështu fillon libri “Bekim Fehmiu – Odiseu Kosovar” nga autori Fahri Musliu i cili u promovua sot në Qëndren Kulturore Informative në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Me anë të këtij libri Musliu sjell reflektime dhe ngjarjet të cilat e kishin përcjellur aktorin Bekim Fehmiu gjatë karrierës dhe jetës së tij. Ky libër fillimisht u botua në Prizren dhe përbëhet nga 7 kapituj me gjithsej 600 faqe. Çdo kapitull shpjegon një nga periudhat dhe përjetime e tija jetësore.
Autori gjatë promovimit theksoi se shumica e materialeve janë marrë nga arkivat jugosllave. Gjatë promovimit u prezantua historia e jetës së Bekim Fehmiut. Ai ishte kritikuar në masë të madhe për martesën e tij me një serbe, për mos vizitën ndaj refugjatëve gjatë kohës së luftës dhe se nuk luante role në gjuhën shqipe në filmat e tij. Mirëpo, autori i librit për këtë u shpreh se askush nga këta kritikues nuk është futur nën lëkurën e tij për të ndjerë dhimbjet të cilat i ka përjetuar ai dhe se ëndrra e tij e cila mbeti e pa realizuar ishte pikërisht të aktroj në gjuhën shqipe. Fehmiu shquhej si njeri me virtyte njerëzore, dinjitoze dhe profesionale në fushën e tij. Kjo ishte njëra ndër arsyet që ai kishte refuzuar të luante disa role ne gjuhën shqipe, sepse kishte hasur në manipulime, keqpërdorime , tha Musliu.
Një kuriozitet që u bë publik në këtë promovim ishte se Bekimi mes të tjerash ishte poliglot që fliste shtatë gjuhë dhe ajo që la për të habitur ishte gjuha angleze të cilën e mësoi për 10 ditë. Për jetën e tij përmbledhje të ngjashme kishte bërë edhe Ramiz Kelmendi të cilat i publikoi në gazetë me titullin ”Mbajeni mend këtë emër”, po ashtu filmat e tij tani janë mbledhur nga ana e një djaloshi gjakovarë mirëpo në pamundësi dhe mbështetjes financiare nga ana e institucioneve përkatëse kanë mbetur të pa publikuara.
Për këtë qëllim autori Fahri Musliu në promovim kritikoi Qeverinë e Kosovës dhe institucionet lokale të cilat nuk ishin treguar të gatshme ta financojë botimin e kësaj monografie. (koha.mk)