Me rastin e ditës ndërkombëtare të vallëzimit 29 Prilli, Ansambli “Ilirida” për të dytin vit me radhë organizon Festivalin folklorik për Fëmijë “Brez pas brezi”.
Festivali “Brez pas brezi” i cili sipas organizatorit, Ilir Loku ka karakter garues, do të fillojë me një parakalim të ansambleve pjesëmarrëse nga Çairçanja e deri tek Sheshi Skënderbeu, ndërsa festivali fillon prej orës 17:00 në Sallën e Operas dhe Baletit.
“Qëllimi i këtij festivali është ruajtja e traditave kombëtare dhe trashëgimisë kulturore, duke e përçuar atë brez pas brezi, ndërsa ideja është që festivalin në të ardhmen ta kalojmë në festival ndërkombëtar”, tha Loku para fillimit të festivalit.
Ai paralajmëroi se për disponimin e artdashësve do të përkujdeset aktori i njohur i komedisë, Visar Etemi.
Ansamblet pjesëmarrëse në këtë festival janë: AKV “Ilirida” – Shkup që është edhe nikoqir, AKV “Bajram Tushi”- Vlorë, AKV “Jeta e Re” – Sllupçan, AKV “Prishtina” – Prishtinë, AKV “Minatori i ri” – Kishnicë, SHKA “Jahi Hasani” – Çegran, AKV “Kastriotët” Ferizaj, AKV “Trad Folk” Tiranë si edhe AKV “Emin Duraku” – Shkup.
Festivali realizohet me Mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qytetit të Shkupit, Komunës Çair dhe biznesmenëve të ndryshëm që funksionojnë dhe veprojnë në Qytetin e Shkupit.(koha.mk)