Sipas vlerësimeve të ekspertëve nga 34 qytete me madhësi të ngjashme me Shkupin në Evropë , kryeqyteti ynë është vetmi që nuk ka transport me një efikasitet të lartë dhe nuk ka as tramvaj , autobusë të shpejtë apo rrjet ndër urban të hekurudhës
Nga Fisnik PASHOLLI
Në renditjen e Indeksit të Economist Intelligence Unit (EIU) apo njësisë për hulumtime të kësaj reviste , e cila i rendit 140 qytete në 30 faktorë të grumbulluar në pesë kategori: stabiliteti, kujdesi shëndetësor, kultura dhe mjedisi, arsimi dhe infrastruktura — Vjena shënon 99.1 pikë nga 100 pikë të mundshme. Me fjalë të tjera,Vjena mbetet qyteti më i mirë për të jetuar prej 140 qyteteve, të renditura nga revista “The Economist”.
Indeksi i EIU rendit qytetet me pesë kritere. Stabiliteti e kultura si dhe mjedisi janë dy kategoritë më të rëndësishme, me peshë të barabartë në 25 për qind të totalit. Kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura gjithashtu përputhen me 20 për qind, me arsimin që vjen më në fund me një peshë prej 10 për qind.
Në ndërkohë në Shkup, në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut akoma kemi problem me trafikun urban të ngadalshëm , ku akoma vozitemi verës pa kondicioner në shumicën e autobusëve urban, akoma flasin se do të ndërtohen shtigje për çiklistë, por nuk dihet se ku do të gjendet hapësirë për biçikletat në komunikacionin e dendur tej mase. Kemi pagesë tepër të shtrenjtë për xhepin e qytetarit prej 50 denarë për një orë parking apo pagesën edhe ditën e shtunë të parkingut prej ora 14 deri në ora 23 për dallim prej më parë kur së paku të shtunën pasdite , parkingu ishte falas.
Akoma në një pjesë të konsiderueshme të qytetit shikohen vetura të parkuara në hapësirat e gjelbëra, trotuare, shtigje biçikletash dhe hapësira të tjera publike , që nuk janë të dedikuara për parking. Akoma flitet se në qendër të Shkupit, qytetarët nuk kanë kanalizim, por përdorin gropa septike… Akoma janë të detyruar që në vonesë të gazifikimit të lirë dhe kapshëm për xhepin e qytetarëve të ngrohen me dru apo rrymë që shkakton habi në Evropë kur dëgjojnë se tek ne qytetarët ngrohen me energji elektrike.
Nga ana tjetër, Vjena vite me radhë është edhe qyteti i parë në botë lider në shfrytëzimin e teknologjive informatike për lehtësimin e jetesës së qytetarëve të tij.
Paramendoni një qytet ku në shtëpitë e pensionistë janë vendosur censorë që urgjencës i lajmërojnë se qytetarët më të moshuar janë shtrirë për toke, ku në banesat e pensionistëve gjenden aparatet që matin tensionin e gjakut dhe sheqerin si dhe “tabletat”, apo mini-kompjuterët ku është instaluar inteligjenca artificiale që flet me qytetarët sikur të jenë fëmijë apo në gjuhën e kuptueshme për ta. Kompjuteri i rikujton moshës së tretë të matin tensionin, të marrin ilaçet me kohë dhe në rregull, apo të ruajnë me kujdes të dhënat e ndryshme në internet.
Jo ky qytet nuk vjen nga ndonjë film fantastik shkencor i Stiven Spillberg, apo ndonjë roman futuristik i Isak Asimov, por ky qytet e ka emrin Vjenë.
Kryeqyteti austriak përmes rrugës elektronike ju paralajmëron se kur ju skadon pasaporta, me qëllim që me disa klikime në internet të ngrini procedurën për të marrë dokumentin e ri të udhëtimit, apo investon bile 8 milionë euro për mbjelljen e drunjte të ri për të luftuar ndryshimet klimatike.
Nga ana tjetër, në Shkup edhe pas 40 vitesh, vozitja me tramvaj akoma mbetet vetëm një dëshirë e cila nuk mund të realizohet pa një ndihmë financiare nga ana e buxhetit të shtetit kur kemi parasysh se arka e qytetit të Shkupit vlen vetëm 80 milionë euro.
Njëherësh sipas vlerësimeve të ekspertëve nga 34 qytete me madhësi të ngjashme me Shkupin në Evropë, kryeqyteti ynë është vetmi që nuk ka transport me një efikasitet të lartë dhe nuk ka as tramvaj, autobusë të shpejtë apo rrjet ndër urban të hekurudhës. Nga ana tjetër, përkundër vendosjes së më shumë masave si, autobusë të rinj, sistemit të ri të biletave, Qendrës për menaxhim dhe kontroll të transportit, akoma transporti urban nuk është tërheqës për qytetarët. (koha.mk)