Pesë persona janë lënduar më lehtë në pesë nga gjithsej 11 aksidente rrugore të regjistruara gjatë ditës së djeshme në rajonin e SPB Shkup. Në gjashtë tjera është shkaktuar dëm material. Gjatë ditës së djeshme policia rrugore ka zbuluar dhe sanksionuar 12 shoferë të cilët nuk i kanë respektuar kufizimet e shpejtësisë së lëvizjes, tre shoferë që e kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, tre shoferë të cilët kanë kaluar në të kuqe në semafor, dy shoferë që nuk iu kanë dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vijat e shënuara për ta, si dhe 24 shoferë të cilët e kanë drejtuar automjetin pa leje të qarkullimit gjegjësisht pa regjistrim. Janë hasur edhe 74 automjete të parkuara në mënyrë të papërshtatshme.
Janë sanksionuar edhe 16 këmbësorë të cilët kanë kaluar jashtë vijave të shënuara për këmbësorë, gjegjësisht kanë kaluar në dritën e kuqe të semaforit. Me ndihmën e automjetit special karrotrec janë larguar shtatë automjete. Në kuadër të aksionit edukativ të komunikacionit “T’i mbrojmë fëmijët në komunikacion”, Sektori për parandalim sot do të realizojë punëtori edukative me nxënësit e klasës së dytë në SHF “Goce Dellçev” në komunën Qendër.