Shkup, 2 prill – Pakënaqësitë rreth konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për regjistrimin e nxënësve nëpër shkollat e mesme në vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019 janë shprehur menjëherë, shkruan gazeta KOHA. Pas publikimit të konkursit të shtunën nga ana e MASH-it ka reaguar zëvendësdrejtori i shkollës së mesme të kimisë “Marija Kiri Sklodovska”- Shkup, Vedat Mustafa për zvogëlimin e paraleleve në shqip ne këtë shkollë. Mustafa për gazetën KOHA thotë se bazuar në përvojat dhe kërkesat që dalin çdo vit nga maturantët kanë kërkuar të hapen më shumë paralele në drejtimet për teknik laboratorik medicinal dhe për optik të syve pasi janë të vetmet në gjuhën shqipe, një gjë të tillë ua ka mohuar MASH-i.
“Ne si shkollë kemi kërkuar 6 paralele për vitin shkollor 2018/2019. Nga MASH-i na kanë lejuar vetëm 5 paralele me drejtimet dhe profilet e njëjta si vitin e kaluar. Te ne momentalisht i kemi të hapura këto profile: Teknik i laboratorisë – medicinal, teknik i optikës së syve, teknik i kimi-teknologjisë, sanitar medicinal. Po të njëjtat profile do ti hapim edhe këtë vit shkollor edhe pse kemi nevojë për me tepër paralele në profilin teknik laboratorikë- medicinal dhe teknik i optikes së syve meqë interesimi në këto profile është shume i madh, sepse këto drejtime janë vetëm ne shkollën tonë me mësim ne gjuhën shqipe”, tha Mustafa.
Ndryshe, të shtunën Ministria për Arsim dhe Shkencë e Republikës së Maqedonisë ka publikuar Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2018/2019.
Në bazë të konkursit, Shkolla e mesme e Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Sklodovska”, ka vend për 544 nxënës në 16 paralele (374 nxënës në 11 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 170 nxënës në 5 paralele me mësim në gjuhën shqipe). Në këtë shkollë në drejtimin e gjimnazit pranohen 68 nxënës të shpërndarë në dy paralele me mësim në gjuhën maqedonase.
Në drejtim kimi- teknologji pranohen 204 nxënës në 6 paralele, prej tyre 2 paralele maqedonisht ku pranohen 68 nxënës dhe një paralele shqip ku pranohen 34 nxënës, ky drejtim është program mësimor 4 vjeçar, ndërsa konkurrenti duhet të ketë minimum 45 pikë. Drejtimi teknik i procesit prodhues është drejtim 4 vjeçar hapen dy paralele me 68 nxënës në gjuhën maqedonase dhe një paralele me 34 nxënës në shqip, pikët e nevojshme janë 45.
Në drejtimin shërbimet personale hapen 3 paralele apo gjithsej pranohen 102 nxënës, prej tyre teknik për optik të syve një paralele me 34 nxënës shqiptar dhe dy paralele me 68 nxënës maqedonas, edhe ky është drejtim katër vjeçar me minimum 60 pikë.
Zëvendës drejtori i kësaj shkolle gjithashtu paralajmëroi se gjatë këtij muaji do të vizitojnë gjitha shkollat fillore të Shkupit dhe fshatrave përreth ku do ti njoftojnë maturantët me mundësitë dhe drejtimet që ofrojnë për vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019. (koha.mk)