Kuota prej 30 pikëve për drejtim është në mospërputhje me drejtimet tjera, ku kërkohen 70 pikë, dhe më pas do të ketë fluks në këtë drejtim dhe do të regjistrohen nxënës që kanë sukses të dobët në shkollat fillore, ndërsa më pas mundësia është që ata të transferohen në drejtime tjera
Urim HASIPI
Tetovë, 2 prill – Janë paraparë 3570 vende të lira për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme të Tetovës për vitin akademik 2019/2020. Në ndërkohë, shkollën fillore në Tetovë dhe rrethinë gjithsej e përfundojnë 2130 nxënës filloristë. Këta nxënës nga Tetova dhe komunat përreth do të mund të të regjistrohen në 6 shkollat e mesme, respektivisht në dy gjimnaze, në shkollën e mesme ekonomike, tekstil, të bujqësisë, si dhe shkollën e mesme të muzikës, shkruan gazeta KOHA.
Nga Komuna e Tetovës thonë se risi për këtë vit janë disa drejtime në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ka disa drejtime të reja. Në mesin tyre drejtimi gjinekologji obstetrikë dhe përkujdesje. “Sivjet në Shkollën e mesme të mjekësisë do të pranohen nxënës në drejtimin Gjineokologji dhe Obstetrikë. Po ashtu, në këtë shkollë është miratuar edhe hapja e drejtimit për teknik për përkujdesës. Ky drejtim është përcaktuar nga ana e MASH-it, dhe kjo nuk ishte kërkuar nga ana e këshillit të prindërve të shkollës. Do të jemi në komunikim me MASH-in, ose të bëhet përmirësimi i konkursit, ose do të mbetet ky drejtim, për shkak se në këtë regjistrim, në këtë drejtim nevojiten 30 pikë, që është një profil arsimor tre vjeçar, dhe mendimi i këshillit të prindërve ishte që të hapen drejtime që janë kompatibile me trendet e reja dhe që i kërkon tregu i punës”, tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Sipas tij, kuota prej 30 pikëve për drejtim është në mospërputhje me drejtimet tjera, ku kërkohen 70 pikë, dhe më pas do të ketë fluks në këtë drejtim, dhe do të regjistrohen nxënës që kanë sukses të dobët në shkollat fillore, ndërsa më pas mundësia është që ata të transferohen në drejtime tjera. Sipas konkursit të MASH-it, në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, në vitin e parë janë paraparë të regjistrohen 510 nxënës në 15 paralele edhe atë 102 nxënës në 3 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 408 nxënës në 12 paralele me mësim në gjuhën shqipe. Në Gjimnazin e dytë, “7 Marsi”, në vitin e parë janë paraparë të regjistrohen 408 nxënës në 12 paralele me mësim në gjuhën shqipe.
Në shkollën e mesme komunale të mjekësisë “Nikolla Shtejn”, në vitin e parë janë paraparë të regjistrohen 680 nxënës në 20 paralele, prej tyre, 204 nxënës në 6 paralele me mësim në gjuhën maqedonase, 442 nxënës në 13 paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe 34 nxënës në 1 paralele në gjuhën turke. Në Shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori”, në vitin janë paraparë vende të lira për 442 nxënës në 13 paralele, prej tyre, 102 nxënës në 3 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 340 nxënës në 10 paralele me mësim në gjuhën shqipe.
Në Shkollën e mesme profesionale të bujqësisë “Mosha Pijade”, në vitin e ka vende të lira për 1054 nxënës në 31paralele, prej tyre, 408 nxënës në 12 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 646 nxënës në 19 paralele me mësim në gjuhën shqipe. Në Shkollën e mesme komunale të tekstilit “Gjoçe Stojçevski”, në vitin e parë do të mund të regjistrohen 340 nxënës në 10 paralele, edhe atë, 34 nxënës në 1 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 306 nxënës në 9 paralele me mësim në gjuhën shqipe. Në Shkollën e mesme të muzikës “Todor Skallovski-Tetoec”, në vitin e parë do të mund të regjistrohen 68 nxënës në 2 paralele, respektivisht 34 nxënës në 1 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 34 nxënës në 1 paralele në gjuhën shqipe. (koha.mk)