Shkup, 21 qershor – Pas raporteve të marra nga të dy ditët e paraqitjes (18 dhe 19 qershor) në shkollat e mesme për regjistrim në vitin e parë për vitin 2018/2019, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi sot se nga 17.590 të paraqitur, janë regjistruar 11.697 nxënës.
Sipas llojit të arsimit, 4.873 janë pranuar në arsim gjimnazist, 6.462 në shkollat profesionale, 208 nxënës në Akademinë e sportit dhe 154 në gjimnazin e sportit.
“Testimi kualifikues do të realizohet më 22 qershor në shkollën e mesme të mjekësisë ‘Dr. Pançe Karagjozov’ në Shkup ( drejtimi – motër medicinale – shëndetësi për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase) dhe në shkollat e mesme në të cilat realizohet plan programi mësimor për art. Në shkollat në të cilat do të realizohet testim kualifikues listat përfundimtare me rezultatet do të publikohen në 25 qershor”, MASH .
Si edhe viteve të kaluara, më i madh është interesi nëpër gjimnaze, kështu që regjistrimi i nxënësve në Shkup ka përfunduar nëpër gjimnazet “Josip Broz Tito”, Nikolla Karev”, “Orce Nikollov”, Georgi Dimitrov”, “Rade Jovçevski Korçagin” dhe në “Josip Broz Tito” në Manastir, si dhe për profilet arsimore nga drejtimi i shëndetësisë dhe drejtimi ekonomik-juridik dhe tregtar…
Pas publikimit të rang listës me rezultatet e regjistrimit, nxënësit të cilët nuk janë regjistruar në shkollë, janë të obliguar që në afat prej 48 orëve të tërheqin dokumentacionin e dorëzuar në shkollë.
Për paraqitjen e dytë në afatin e qershorit, e cila do të realizohet më 28 qershor, vende të lira ka për gjithsej 24.086 nxënës, prej të cilëve për arsim gjimnazist 6.068 dhe për arsim profesional 17.900 vende. Rezultatet nga regjistrimi dhe vendet e lira do të publikohen më 29 qershor.
MASH informon se për paraqitjen e dytë mund të ulin numrin e pikëve sipas Konkursit më së shumti deri në 10 pikë në përjashtim të drejtimit gjimnaz, drejtimit ekonomi – juridik dhe tregti dhe drejtimit shëndetësi.
“Shkollat janë të obliguara që me Konkurs intern për paraqitjen e dytë të theksojnë minimumin e pikëve të përcaktuara ku nxënësve do t′iu mundësohet të konkurrojnë për regjistrim në planin dhe programin e caktuar mësimor. Publikimi i pikëve minimale duhet të bëhet më 25 qershor 2018 për paraqitjen e dytë”, njoftoi Ministria.
Ulje të pikëve nuk do të ketë nëpër gjimnaze, drejtimin ekonomik-juridik dhe tregti, si dhe drejtimin shëndetësi.
Për nxënësit nga klasa e nëntë të cilët dërgohen në provim përmirësues, provim të vitit, provim për avancim më të shpejtë, organizohet afat i dytë në muajin gusht, në shkollat ku do të mbeten vende të lira pas afatit të qershorit. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve në afatin e gushtit do të realizohet në 23 gusht.