Driton ZENKU
Gostivar, 17 mars – Krimi ekonomik dhe korrupsioni i organizuar, tashmë paraqitet si dukuri e zakonshme, shkruan gazeta KOHA. Nga Stacioni Policor në Gostivar thonë që këto dukuri janë të pranishme dhe se polica në mënyrë aktive është përfshi në luftën ndaj këtyre fenomeneve. Nga atje njoftojnë që në fushën e krimit ekonomik vetëm gjatë vitit 2016 gjithsej janë zbuluar dhe paraqitur 53 vepra penale. Si kryerës të veprave janë paraqitur gjithsej 48 autorë, kundër të cilëve janë parashtruar 33 kallëzime penale.
“Në strukturën e veprave penale nga fusha e krimit ekonomik, në vitin 2016 janë kryer vepra penale nga më të ndryshmet, edhe atë në tre raste kemi pasur ndërtime të paligjshme, në një rast peshkim të paligjshëm, në 25 raste shkatërrim të pyjeve, në 11 raste keqpërdorim të gjendjes zyrtare, në gjashtë raste ka pasur uzurpim të patundshmërisë, në tre raste kemi të bëjmë me fajdexhi,e tjerë”, njofton për KOHA, shefi i Stacionit policor të Gostivarit, Gazi Abdurahmani.
Në këtë drejtim, në shënjestër të policisë kanë qenë edhe lokalet e natës. Abdurahmani thotë brenda vitit që lamë pas janë kryer gjithsej 12 kontrolle në 8 objekte hoteliere. Kështu, në luftën kundër tregtisë me njerëz, është konstatuar që emigrantët të cilët janë paraqitur si valltare, kamariere, pastruese dhomash apo forma tjera të punësimit jolegal, nga ana e pronarëve të objekteve hoteliere duke përdorur mjete të ndryshme të detyrimit, të njëjtat janë detyruar me forcë të ofrojnë shërbime seksuale për klientët e interesuar. Gjatë kontrolleve, janë hasur 22 shtetase të huaja prej të cilave12 nga Shqipëria, 5 nga Kosova, 4 nga Serbia dhe nga Bosnje e Hercegovina. Shtetaset e huaja janë dërguar në Stacionin policor në Gostivar dhe pastaj për të njëjtat janë ndërmarrë masa, u është anuluar qëndrimi i tyre në Maqedoni me ndalim prej 1 viti dhe janë deportuar deri te kalimi kufitar.
“Vitin e kaluar në fushën e krimit dhe korrupsionit të organizuar janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të organizuara për zbulimin e formave më të rënda të organizuara të veprave penale, grupeve kriminele të cilët në periudha të gjata kohore kanë vepruar nëpërmjet kryerjes së këtyre veprave penale, gjatë së cilës tentonin që të minimizohet trendi negativ i organizuar gjatë kryerjes së veprave siç janë, falsifikim parash, shantazhe, reket, të kryera nga ana e grupeve kriminele dhe tregti të palejuar me njerëz. Gjithashtu, prioritet në punë ishte pengimi i të gjitha formave të zhvillimit të korrupsionit dhe sjelljes korruptive”, shton Abdurahmani. Autorët për momentin e kryerjes së veprave penale në territorin e Stacionit Policor të Gostivarit, në vitin 2016 janë të profileve të ndryshme, edhe atë, 2 të punësuar përkohësisht jashtë vendit, 18 të papunë, 1 punëtor, 2 menaxhues të firmave për prerje, shpërndarje dhe transportim të druve, 1 punëtorë sporteli në Postat e Maqedonisë, 1 referent për pyjet private, disa inxhinier të pylltarisë-referentë për shfrytëzimin e shpërndarjes,
1 zyrtar policor i sistemuar gojarisht në vendin e punës referent për lejen e vozitjes, 2 referentë të pavarur për mbrojtjen, shfrytëzimin dhe kultivimin e pyjeve, , 3 investitorë të ndërtimit, 1 arkëtare në kazino dhe 1 udhëheqës-revier në Institutin Publik “Parku nacional – Mavrovë”. Po ashtu, gjatë vitit 2016 nga fusha e krimit të organizuar në territorin e Stacionit Policor të Gostivarit janë regjistruar gjithsej 3 vepra penale prej të cilave 2 falsifikim parash dhe 1 marrje ryshfeti, të njëjtat të realizuara të kryera nga ana e 3 autorëve kundër të cilëve janë parashtruar 3 kallëzime penale. Me veprat e kryera penale nga kjo fushë të shtetit të Republikës së Maqedonisë dhe subjekteve tjera të dëmtuara është bërë tani dëmi material i supozuar prej rreth 19.992.220 denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara