“Dhunë kemi në familjet me rrezik social, kur bashkëshortët përdorin alkoolin, merren me bixhoz… Në sqarimet që japin bashkëshortët, thonë se vobekësia dhe problemet radikale sociale ndikojnë në paraqitjen e dhunës. Megjithatë, për fat të keq, vitet e fundit ka një rritje të numrit të dhunës ndaj fëmijëve. Tani në krahasim me vitet e mëparshme, nga familjet ku ka dhunë – paraqiten edhe rastet kur fëmijët janë të dhunuar”, tregon Paçuku
Vjollca SADIKU
Dibër, 18 shkurt – Dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme në Komunën e Dibrës. Të dhënat zyrtare të institucioneve thonë se dy vitet e fundit, të dhunuar janë femrat dhe fëmijët. Në Qendrën ndërkomunale për punë dhe politikë sociale në Dibër theksojnë se ky institucion po ndërmerr të gjitha aktivitete ligjore që kanë të bëjnë me të dhunuarit dhe dhunuesit.
Drejtori i Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, thotë se gjatë vitit të kaluar, edhe pse ka një ulje të lehtë të dhunës në familje, për fat të keq – ky fenomen vazhdon të jetë prezent. Vitin e kaluar janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje nga gjithsej katër dhunues. Sipas Paçukut, institucioni që ai udhëheq ka komisione speciale, të cilët merren me problemin e dhunës në familje. “Viktima të dhunës në familje janë gratë dhe fëmijët. Kohëve të fundit në shënjestër të dhunuesve për fat të keq janë edhe fëmijët. Në krahasim me një vit më parë, respektivisht me vitin 2018 kur janë regjistruar nëntë raste dhune nga gjashtë dhunues dhe në vitin 2017 kur janë regjistruar tetë raste me gjashtë dhunues, vitin që kaloi ka më pak raste, por niveli i dhunimit është më i rrezikshëm”, tregon për gazetë KOHA,drejtori Paçuku. Qendra për punë sociale, kur është në pyetje dhuna në familje, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet që merren me këtë problem të shoqërisë siç janë – policia, shoqatat qytetare, gjykata e tjerë. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë, thonë në Qendër.
“Mund të themi se varësisht nga rastet – dhuna është e ndryshme. Dhunë kemi në familjet me rrezik social, kur bashkëshortët përdorin alkoolin, merren me bixhoz… Në sqarimet që japin bashkëshortët, thonë se vobekësia dhe problemet radikale sociale ndikojnë në paraqitjen e dhunës. Megjithatë, për fat të keq, vitet e fundit ka një rritje të numrit të dhunës ndaj fëmijëve. Tani në krahasim me vitet e mëparshme, nga familjet ku ka dhunë – paraqiten edhe rastet kur fëmijët janë të dhunuar. Në bashkëpunim me institucionet po ndërmerren aktivitete të ndryshme në interes të mbrojtjes të personave të dhunuar siç janë gratë dhe fëmijët”, informon Paçuku.
Vitet që kaluan, në Dibër janë regjistruar edhe dhunime të moshës së tretë, gjë që viteve të fundit ky problem është në ulje. Problemet në sferën e pasurisë familjare kanë qenë shkaqe kryesore për dhunimin e prindërve nga ana e fëmijëve. Me qëllim që të parandalohet dhuna në familje, edhe gjatë vitit që kaloi disa nga shoqatat qytetare në Dibër kanë realizuar projekte të ndryshme. Projektet në këtë sferë target grup kanë patur femrat, por edhe të rinjtë. Në aktivitetet që janë realizuar në institucionet arsimore, por edhe në takime të tjera – një vëmendje e veçantë i është kushtuar shkaqeve të paraqitjes së dhunuesve dhe nevojës së mbrojtjes së viktimave. Shpeshherë ka ndodh që, edhe pse rastet kanë qenë të evidentuara nga institucionet përkatëse, pak është bë që të parandalohen përsëritësit që shkaktojnë dhunë. Shoqatat janë të mendimit se sidomos femrat nuk duhet të fshehin dhunën si bashkëshorte në familje meqë dhunuesit pikërisht atëherë përsërisin aktet e dhunës. (koha.mk)