Omer XHAFERI
Shkup, 4 janar – Rrjetet sociale si Fejsbuk, Tuiter, Instagram apo aplikacione tjera të ngjashme që gjenden në internet, paraqesin sinonim të shoqërisë moderne në të cilën jetojmë, shkruan gazeta KOHA. Shfrytëzimi çdo ditë e më tepër i këtyre rrjeteve virtuale, në masë të madhe ka ndikuar që të rritet rreziku nga keqpërdorimi i të dhënave personale. Emri dhe mbiemri, ose fotografi, respektivisht të dhënat e përgjithshme shpesh herë janë gjeneralet më të keqpërdorura në rrjetet sociale. Për të pasur një pasqyrë më reale se sa në të vërtetë keqpërdoren këto të dhëna, gazeta KOHA e kontaktoi Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale (DMDHP) në Maqedoni, institucioni ky që pranon dhe i procedon ankesat që kanë lidhje të drejtpërdrejte me cenimin e të drejtës private, gjegjësisht shkeljen e identitetit të njeriut në forma të ndryshme. Informacionin se keqpërdorimi i të dhënave personale më shumë është prezent në rrjetet sociale, e konfirmuan edhe nga DMDHP. Sipas këtyre të fundit, nga fillimi i viti e deri në ditët e para të dhjetorit, pranë shërbimeve përkatëse të kësaj drejtorie janë dorëzuar gjithsej 337 parashtresa për keqpërdorim të të dhënave personale. Në ndërkohë, rreth dy të tretat e këtyre denoncimeve apo 237 ankesa gjithsej, siç potencojnë nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale kanë të bëjnë me keqpërdorimet e të dhënave nëpër profilet e ndryshme në rrjetet sociale. Në pyetjen e gazetës KOHA, se përpos qytetarëve të rëndomtë që i dorëzojë ankesat e këtyre llojeve, sa janë të shpeshta denoncimet e fytyrave publike që kërkojnë nga kjo Drejtori theksojnë se kjo kategori e parashtresave nuk është e shumtë në numër, por megjithatë janë prezent.
“Brenda këtij viti te ne janë drejtuar për keqpërdorim të të dhënave personale politikanë, aktorë, këngëtarë dhe persona tjerë të jetës publike. Ndërsa, nëse flasim me numra, ankesat e parashtruara nga kjo pjesë e shoqërisë nuk i tejkalon 12 denoncime”, thonë për KOHA nga DMDHP. Përkundër faktit se trendi i përdorimit të këtyre rrjeteve nga ana e politikanëve në vendet e rajonit shfrytëzohen në mënyrë individuale, apo më mirë thënë vetë i azhurnojnë statuset dhe njoftimet e tyre, në Maqedoni pjesa dërmuese e politikanëve këtë çështja ua kanë lënë shërbimeve partiake. Të paktën kështu thonë zyrtarisht. Kërkesat më të shpeshta të qytetarëve drejtuar këtij institucioni relevant për sigurimin e të dhënave personale, siç mëson gazeta KOHA, kanë të bëjë me fshirjen e profileve të rrejshme në rrjetet sociale. Kompetencat ligjore lidhur me këtë çështje nuk i mundësojnë kësaj Drejtorie zbulimin e vendit dhe autorit të hapjes së këtyre profileve të rrejshme. Por, në kuadër të kësaj drejtorie, sipas njoftimeve të deritanishme, që këta i kanë bërë për opinionin, thuhet se ata disponojnë me një ekip të specializuar, i cili ka për detyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë të kontaktoj me zyrën e rrjetit social “Fejsbuk”, që gjendet në Dablin. Pasi që zyra e apostrofuar kontaktohet nga shërbimi përkatëse i kësaj drejtorie, atyre ju dorëzohen kërkesat për fshirjen e profileve të rrejshme, ndërsa në këtë parashtresa ata në detaje e përshkruajnë rastin, me çka brenda 24 orëve bëhet largimi i llogarisë së rrejshme nga rrjeti social “Fejsbuk”.
“Njëra prej rasteve të cilat i kemi proceduar gjatë kësaj periudhe, kishte të bëjë me dokumentin personal të një personi publik, i cili kishte përmbajtje degraduese kundër statutit të tij, ishte fyer në rrjeti social Fejsbuk. Pas denoncimit dhe konstatimit se në këtë rrejt social, gjegjësisht në një faqe ta fansave, dokumenti udhëtues ende është prezent, ne si Drejtori hapëm lëndë me mbikëqyrje të inspektimit të jashtëzakonshëm. Rezultati përfundimtar i këtij rasti ishte se inspektorët sollën vendim, me të cilin konstatohet shkelje e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa personi i cili i ka publikuar këto të dhënave, në afat të caktuar të bënë largimin e tyre”, thonë nga DMDHP, në përshkrimin e njërit prej rasteve më specifike që ato janë përballuar këtë vit. Respektimi i privatësisë në rrjetet sociale, duke filluar nga emri, mbiemri, adresa, kontakt telefoni, fotografitë dhe të dhënat e ngjashme, duhet të bëhen me kujdesin më të madh, gjegjësisht të mendohet mirë para se të bëhet publikimi i tyre. Ky është njëri prej rekomandimeve që DMDHP ua rekomandon përdoruesve të rrjeteve sociale, ku mes tjerash ju apelon që mos të bëjnë shpërndarjen e të dhënave të personave të huaj, pa pëlqimin e tyre. Në ndërkohë, nga atje sugjerojnë që personat që i përdorin rrjetet sociale, të mundësojnë qasje të kufizuar deri te profili i tyre, kur bëhet fjalë për persona të tjerë, gjegjësisht përdorimi i fjalëkalimeve të komplikuara, të jetë njëra prej formave që ata të mbrohen nga keqpërdorimi i të dhënave personale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.