Los-Anxhelos, 16 tetor – Ish-ministri meksikan i Mbrojtjes, gjeneral Salvador Sinfuegos, i cili ishte shef i atij departamenti për gjashtë vjet gjatë qeverisjes së presidentit, Enrike Penja Nieto, u arrestua në aeroportin e Los-Anxhelosit me urdhër të Agjencisë amerikane për Kontrollin e Narkotikëve (DEA).
Zëdhënësja e DEA-s, Nikol Nishida konfirmoi se Sinfuegos, 72, ishte arrestuar, por nuk precizoi se nën cilat akuza.
Ministri meksikan i Punëve të Jashtme, Marselo Ebrard shkroi në Tuiter se ambasadori amerikan në Meksikë, Kristofer Landao, e ka informuar për arrestimin. Ai paralajmëroi se konsulli meksikan në Los-Anxhelos do ta informojë në orët e ardhshme për akuzat ndaj ish-ministrit, të cilit do t’i ofrohet ndihmë konsullore.
Një zyrtar i lartë meksikan deklaroi se Sinfuegos është arrestuar kur mbërriti në aeroport me anëtarët e familjes së tij, të cilët u liruan.
Anëtarë të shumtë të qeverisë Pena Nieta janë përfshirë në raste të nivelit të lartë të korrupsionit, disa prej të cilëve përfshijnë lidhje me krimin e organizuar.