Nuk është i vogël edhe numri i shqiptarëve që kanë nisur të udhëtojnë në mënyrë të organizuar, por edhe privat drejt Selanikut. “Në Shkup, në secilën qendër tregtare mashtrojnë me lirimet. Nuk ndodhë ashtu sikurse në Selanik të gjesh diçka në lirim prej 70 për qind e të mos e ketë çmimin nën 50 euro. Ndërsa në Selanik, lirimet janë tamam, pa mashtrime sikurse bëjnë tek ne”, thotë Vjollca, studente e juridikut në Shkup
Qefsere ABDYLI
Shkup, 2 tetor – Çmimet e ulëta dhe lirimet pa mashtrime janë shkaku që shumë qytetarë të Maqedonisë kanë rritur tregtinë në shtetin fqinj Greqinë, ndërsa po shfrytëzojnë zbritjet aktuale në mallra duke filluar nga 20 deri në 70 për qind. Tradita e blerjeve në Selanik madje çdo ditë e më shumë po rritet. Fundjavat apo ditët e lira, kryesisht nga maqedonasit, shfrytëzohen për blerje në Greqi, shkruan gazeta KOHA.
Edhe nga agjencitë e udhëtimit që organizojnë udhëtime pazaresh konfirmojnë se numri i udhëtarëve po rritet, ndërsa janë shtuar edhe furgonët dhe autobusët që udhëtojnë për në Selanik dhe Athinë. Nuk është i vogël edhe numri i atyre që me vetura private udhëtojnë drejt Greqisë. Vendet më të popullarizuara për blerësit nga Maqedonia janë qendrat e mëdha si Cosmos, Ikea, Metro dhe Lidl në Selanik. Siç raportojnë mediat greke, përveç qendrave tregtare, puna është rritur edhe në lokalet përskaj bregdetit grek. Pantallona nga 10-15 euro, bluza për 5 euro, fustane 10 euro.., janë çmimet kur nisin lirimet pa mashtrime.
Nuk është i vogël edhe numri i shqiptarëve që kanë nisur të udhëtojnë në mënyrë të organizuar, por edhe privat drejt Selanikut. “Në Shkup, në secilën qendër tregtare mashtrojnë me lirimet. Nuk ndodhë ashtu sikurse në Selanik të gjesh diçka në lirim prej 70 për qind e të mos e ketë çmimin nën 50 euro. Ndërsa në Selanik, lirimet janë tamam, pa mashtrime sikurse bëjnë tek ne”, thotë Vjollca, studente e juridikut në Shkup.
Në qendrat tregtare në Selanik, zbritje të mëdha ka edhe në gjërat shtëpiake që ofrohen me një çmim prej 1 deri në 100 euro. Qytetarët janë përgjithësisht të kënaqur me çmimet e ulëta dhe thonë se janë duke pritur me padurim për pazaret e ardhshme, kryesisht për shkak se veshjet e dimrit tashmë janë më të shtrenjta se ato të verës.
“Zakonisht, veshjet e verës i blej edhe gjatë veshjes, kur çmimet bien përtokë, pasi edhe mallrat që shiten në Greqi, nuk gjenden në Maqedoni dhe tamam për vitin e ardhshëm, duken modele të reja. Edhe nga dhjetori fillojnë lirimet e mëdha për veshjet dimërore, kështu që prej tani kursej që të blej rroba të mira dhe shumë të lira. Qendrat e Shkupit kanë mbet sa për të pirë kafe dhe asgjë më shumë”, tregon Agroni nga Shkupi.
Që qytetarët tanë shpesh shkojnë në Greqi, tregojnë edhe statistikat e fundit, sipas të cilave, vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 2.8 milionë hyrje-dalje janë regjistruar në vendkalimet kufitare me Greqinë, ndërsa supozimet për shumat e harxhuara arrijnë në gati një miliardë euro. (koha.mk)