Që në fillim të seancës së 32-të kuvendore në të cilën duhet të debatohet për ligjin për gjuhët, me kërkesë të deputetit Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dha pauzë që të mund të shqyrtohen materialet për zgjedhje të nënkryetarëve të Parlamentit, me procedurë të shkurtuar, me ç’rast, siç theksoi, shumica dëshiron t’i sigurojë zëvendës Xhaferit për debatin e planifikuar për këtë ligj.
“Sapo morëm njoftim se me procedurë të shkurtuar vendoset pikë për zgjedhje të nënkryetarëve të Kuvendit, që të ketë kush ta zëvendësojë në orët e vona të debatit Talat Xhaferin. Ky është abuzim klasik i demokracisë”, tha Dimovski. Potencoi se seanca e cila filloi sot, ndërsa në rend dite të së cilit është Propozim-ligji për përdorim të gjuhëve në lexim të tretë, pasi presidenti Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi dekretin për hyrjen e tij në fuqi, është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit.
Tezat se me amendamentet bllokohet puna e Kuvendit, tha Dimovski, janë të pasakta, për shkak se, siç potencoi funksioni Xhaferit i jep mundësi që ta ndryshojë dinamikën e punës, të caktojë seanca të reja ose të vendosë në rend dite ligje prioritare. Ndaj vërejtjes procedurale të Dimovskit, reagoi edhe Xhaferi, i cili theksoi se ai është dashur ta vendosë ligjin sërish në shqyrtim në Kuvend më së voni 30 ditë pasi ai nuk e ka marrë nënshkrimin e presidentit Ivanov dhe se ky nuk është kurrfarë abuzimi i demokracisë.
Tha edhe se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka lidhje me kurrfarë debati hipotetik për ligjin për përdorim të gjuhëve për shkak se, siç theksoi, ai është i gatshëm të jetë në seancën kuvendore për debat. VMRO-DPMNE dorëzoi 35.537 amendamente për Propozim-ligjin për përdorim të gjuhëve.
Për arkivim, përpunim dhe vendosje në e-sistemin e Parlamentit këtë fundjavë ishin të angazhuar rreth 120 të punësuar në shërbimet kuvendore. Që të shqyrtohen të gjithë amendamentet e dorëzuara Parlamentit do t’u nevojiten disa muaj.
Partitë nga shumica qeveritare LSDM dhe BDI, si dhe Besa nuk dorëzuan amendamente për ligjin.
Sipas Rregullores, amendamentet e dorëzuara do të shqyrtohen vetëm në seancë plenare. Propozuesi do të ketë tre minuta që t’i elaborojë dhe amendamenti do të mund të votohet. Që të miratohet nevojiten 61 vota. Koordinatorët e grupeve të deputetëve kanë të drejtë edhe për vërejtje procedurale prej tre minutave. Në qoftë se janë të ngjashme amendamentet mund të grupohen, shpjegojnë nga shërbimet kuvendore, por ato do të duhet të votohen individualisht. Në rend dite të kësaj seanca, krahas ligjit për përdorim të gjuhëve, janë edhe rreth 40 pika të tjera.